Nga Ben Andoni
Në ditët në vijim do marrë jetë një parti e re në spektrin e Djathtë. Grupi i Alibeajt, Bejkos, Kullurit dhe pak të tjerëve, që kanë kohë që i kanë ndarë udhët me Berishën dhe së fundmi dhe me Bashën, po duan që t’i japin materies së tyre të104.000 votave një identitet të ri. Të maturuar dhe me shpresë, ata po duan të kanalizojnë nevojën e publikut për përfaqësim me përvojën e tyre. Ish-lideri Basha nuk mundi dot as në tranzicionin e trazuar të PD-së, kur sajoi dorëheqjen dhe që u ndihmua edhe nga personazhet në fjalë, apo edhe më pas. Nëse pas tre humbjeve në zgjedhje, faji i mos-dorëheqjes ishte i anëtarëve të PD-së (lexo urdhrit mbështetës të Berishës), së fundmi, faji është i pakuptimit personal, që politikani Basha nuk mundi ta mbante dot një strukturë si partia e tij me mundësinë e ndikimit dhe autoritetit. Kjo është në gjendjen de facto, pasi në gjendjen de jure, çdo parti ka kushtetutën e saj, që është statuti. Është pikërisht mënyra si respektohet dokumenti, që tregon sesa do t’i referohen pushtetit të kushtetutës së vendit kur të jenë në pushtet. Berisha e mban PD-në tashmë me fuqinë e shumë elementëve, prej autoritetit, nderimit te baza e tij, por edhe mekanizmave të tij ‘speciale’, që lideri demokrat di t’i luajë e aktivizojë në kohën dhe në momentin e duhur. Rama, nga ana tjetër, e realizon me pushtetin pakufi që ka dhe që e ka bërë të dalë mbi forumet. Me pak fjalë: Ajo që i bashkon të dy zyrtarët e lartë, që gatuan 2008 dhe mbajnë vendin në diktatin e marrëveshjeve të kësaj fryme, është se diferenca e tyre me pasardhësit është e pamatë, kurse tjetra është që statuti i partisë për ta është një dokument abstrakt. E themi këtë, sepse po të kishte respekt për statutin, nuk do kishte ndarje të PD-së, kurse Basha nuk do rikthehej edhe me humbje, ashtu si te PS-ja po të kishte caqe respekti ndaj statutit, nuk do kishte emërime dhe shkarkime blic sipas Ramës, por do të kihej parasysh dhe ‘forca e statutit’.
Ndaj, partia e re e Alibeajt, Bejkos dhe Kullurit, nëse ata do jenë promotorët kryesorë, paçka se e meritojnë me peshën që mbajtën në tranzicionin brenda tranzicionit të PD-së, do u duhet që të kenë përballje të ndershme me dokumentin e tyre statuor. Sa më i madh të jetë respekti i statutit, aq më ngadalë, por lart mund të shkoj si forcë, ky grupim, që mëton të sjellë diçka për të Djathtën e vendit. Të paktën në ato që kanë rrjedhur në media duket një lloj serioziteti: “Partia, sipas statutit, parashikohet të funksionojë mbi një ndarje pushtetesh brenda organizmit politik. Njëjtë si shteti, edhe ndërtimi i partisë është bazuar mbi “ndarjen e pushtetit politik, atij administrativ dhe atij gjyqësor, të cilët ndihmojnë dhe kontrollojnë njëri-tjetrin, duke balancuar të gjithë funksionimin e brendshëm të saj”, shpjegohet në dokument, teksa mbetet tashmë të tregohet në praktikë se çfarë do ndodhi me ta pas rezultatit të zgjedhjeve 2025. Është caku i zgjedhjeve dhe momenti pas zgjedhor, që tregon seriozitetin e organizimeve të tilla, ku analizat ja zenë vendin akuzave. Edhe pse është një parim, që për SHBA-në e ka përcaktuar një nga titanët e tyre të mendimit: “Të drejta të barabarta për të gjithë, privilegje të veçanta për asnjë”, shpjegonte dikur Tomas Xheferson (1780). Po sa do t’i dëgjojnë vallë këto veshët e politikanëve “të rinj”?! (Javanews)