Kandidati republikan për presidencën amerikane, Ted Cruz, ka arritur një fitore shumë të rëndësishme në parapraket në Wisconsin, duke i komplikuar punët manjatit Donald Trump në qëllimin e tim për t’u kandiduar.
Trump vazhdon të udhëheq garën republikane, por ekziston frika se ai nuk do të mund të ketë numrin e mjaftueshëm të delegatëve për të siguruar nominimin e partisë.
Kundërshtarët e miliarderit njujorkez shpresojnë që Trump të mos kapë 1237 delegatë që e mbështesin dhe në këtë pikë do të hynte në lojë mekanizmi që kandidati do të zgjidhej prej drejtuesve të partisë, pavarësisht numrit të delegatëve që e mbështesin, dhe kjo do të favorizonte Cruz, pasi Trump nuk gëzon mbështetjen e udhëheqjes republikane.
“Sonte është pika e kthesës -u shpreh Cruz përpara turmës- ne po fitojmë sepse kemi arritur të bashkojmë Partinë Republikane”.
Ndërkohë, në garën e demokratëve, mediat amerikane raportojnë për një fitore të Bernie Sanders ndaj Hillary Clinton në shtetin e Wisconsinit.