Shefi i Agjencisë Qendrorë Amerikane të Inteligjencës, William Burns, është takuar në Prishtinë me kryeministrin Albin Kurti. Biseda e tyre ka zgjatur rreth 45 minuta, ndërsa ende nuk dihet asgjë lidhur me temat e diskutuara.
Më herët, kreu i CIA-s amerikane u takua në Kosovë dhe me presidenten, Vjosa Osmani. Kjo e fundit ka ndarë në rrjetin social X dhe imazhet e takimit dhe një mesazh. “Aleanca me Shtetet e Bashkuara, garanci për siguri, paqe e sukses! Kënaqësi që mirëprita dje në Republikën e Kosovës Shefin e Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), Ambasadorin William Burns”, ka shkruar zonja Osmani.
Gjithashtu A2 ka mësuar se zyrtari i inteligjencës amerikane ka vizituar dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, ku është takuar me kreun e saj, Petrit Ajeti. Më herët, Burns ka zhvilluar takime dhe vizta, thuajse sekrete edhe në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Serbi.
Vizita e tij në Kosovë vjen pas asaj që raportohet se pati në Beograd të enjten dhe Bosnjë të mërkurën. Burns u takua me homologët e tij nga sektori i inteligjencës, me anëtarët e Presidencës së këtij shteti dhe me ministrin e Jashtëm të Bosnjës.
Një zyrtar i Qeverisë amerikane, ka deklaruar për se arsyeja e vizitës së shefit të CIA-s në Sarajevë, ndër të tjera ishte edhe për shkak të retorikës dhe veprimeve shqetësuese separatiste të presidentit prorus të entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik dhe Qeverisë së këtij entiteti.
Burns është emëruar në pozitën e drejtorit të CIAS nga Presidenti Joe Biden në janar të vitit 2021./A2