Analisti Skënder Minxhozi komentoi në “Special Report”, në ABC News ngjarjet e fundit kriminale të ndodhura në vend.
“Shteti duhet të jetë aty në kohën e duhur dhe duhet të godasë me forcën maksimale”, u shpreh Minxhozi.
Gjithashtu ai u ndal edhe tek roli i drejtësisë duke thënë se duhet të tregohet më shumë përgjegjësi nga ana e prokurorëve dhe gjykatësve.
“Këto ngjarje të rëndë të ndodhura në mesin e sezonit në prani të një numri jo fort të vogël njerëzish, sërish ne si qytetarë lexojmë versione të ndryshme nga institucione të ndryshme. Dhe nuk jemi në gjendje të lexojmë një identikit të saktë, deri tani kemi një ping-pong të përgjegjësive dhe kjo tregon përgjegjësinë e shtetit. Dhe sot në Shqipëri ke frikë se mund të humbasësh jetën dhe të gjitha këto tregojnë se Shqipëria është një shtet i vogël dhe ligji në disa raste shkon vonë dhe atëherë kur shkon në disa raste e lexon ndryshe ngjarjen.
Situata është emergjente, krimi është emergjente të goditet. Shteti duhet të jetë aty në kohën e duhur dhe duhet të godasë me forcën maksimale. Mëdyshjet e shtetit krijojnë pasoja por edhe pasiguri. Nëse ka boshllëqe ku në emër të pavarësisë apo nëse është krijuar një kastë e paprekshme personash që veprojnë jashtë çdo përgjegjshmërie, dhe nëse këta njerëz janë bërë të fuqishëm dhe të paprekshëm kjo duhet rregulluar në mënyrë ligjore.
Rreziku është krijimi i një elite në organet tona të drejtësisë duke abuzuar nga nevoja urgjente për ta pasur gjyqësorin apo prokurorinë të pavarur nga politika dhe të varur tek ligji dhe duke abuzuar me këtë koncept, mund të krijohen raste të tilla ku këta njerëz nuk japin llogari për atë që bëjnë dhe abuzojnë me lirinë që kanë.
Rikthehem tek rasti i Velipojës, kur një person ndodhet në “arrest shtëpie”; institucionet që kanë tagrin dhe detyrimin ligjor të merren me këto situata dhe këta njerëz që janë shoqërisht të rrezikshëm, atëherë kjo sjellje e papërgjegjshme krijojnë këto ngjarje dhe ne ndodhemi në një situatë ku shohim seriale me vrasje. Pra realisht mund të them është shumë emergjente. Dhe kam përshtypjen që jemi fokusuar shumë tek korpusi i drejtësisë së re, GJKKO dhe Apeli i saj dhe BKH. Mund të them që duhet të ketë më shumë përgjegjësi.
Kemi parë që persona me rekorde kriminale përdorin armë pa leje. Duhet më shumë përgjegjësi nga prokurorët dhe gjykatësit”, tha ndër të tjera ai.