Nga Gazeta Si – Ndryshimet në qeveri nuk kanë përfunduar me ndryshimet e fundit të korrikut. Në këtë përfundim ka dalë analisti Lorenc Vangjeli në një intervistë me Gazeta ‘Si’.
Ai ishte i vetmi nga njerëzit e medias që parashikoi përpara kongresit socialist ndryshimet jo vetëm në qeveri, por edhe në parlament.
Megjithatë, ndryshimet e reja zoti Vangjeli nuk i sheh si vullnet i kryeministrit. “I vetmi faktor i jashtëm që ndikon mbi vullnetin e kryeministrit është SPAK-u. Rama nuk do të lejonte në asnjë rrethanë që Dumani t’ia merrte ministrat nga tavolina. Do të preferonte t’i largonte vetë më parë. Nëse kjo logjikë është e saktë, besoj se ndryshimet nuk janë përfundimtare dhe, ndoshta, brenda këtij viti do të ketë lëvizje të reja” thotë zoti Vangjeli, i cili shpreh hapur mendimin e tij edhe për rivalitetin në PS mes Erion Veliajt dhe Belinda Ballukut.
Gazeta Si: Në një shkrim pak ditë para kongresit të PS, ju paralajmëruat pothuajse të gjithë orientimin e ndryshimeve që ndodhën, përfshirë edhe Parlamentin, që s’pritej. Besoni se këto janë ndryshimet e fundit para zgjedhjeve?
Lorenc Vangjeli: Ju faleminderit që e kujtoni këtë detaj! Po, ishte një editorial i botuar një javë përpara kongresit socialist që paralajmëronte ndryshimet në Parlament dhe në qeveri, për të cilat nuk ishte folur më parë. Më shumë se informacioni i munguar – zotërues i tij ishte vetëm kryeministri – ishte një ushtrim logjik për të identifikuar se çfarë konsideronte të dobishme për të kryer vetë kryeministri. E ndoshta deri diku, edhe interesi publik. Në kushtet kur mbeten dhe vetëm pak muaj nga zgjedhjet e radhës dhe kur gjasat që Rama të rikonfirmojë veten për herë të katërt, deri në këtë moment, varen vetëm nga vullneti i tij, Rama ka një fushë të gjerë veprimi dhe një tolerancë të madhe nga gabimet e mundshme. I vetmi faktor i jashtëm që ndikon mbi këtë vullnet është SPAK-u dhe e nesërmja e hetimit të disa dosjeve përvëluese, edhe për përfaqwsues të zëshëm të shumicës.
Rama nuk do të lejonte në asnjë rrethanë që Dumani t’ia merrte ministrat nga tavolina. Do të preferonte t’i largonte vetë më parë. Nëse kjo logjikë është e saktë, besoj se ndryshimet nuk janë përfundimtare dhe, ndoshta, brenda këtij viti do të ketë lëvizje të reja. Edhe më të forta. Ka një detaj interesant, që ngulmon të hedhë dritë më shumë për emrat që erdhën sesa ata që ikën. Me përjashtim të Kryetarit të Kuvendit, zonjës Spiropali, emrat e thirrur në apel janë pothuaj krejt të panjohur dhe pa asnjë lidhje me politikën. Rama duket sikur po i jep Berishës atë që Doktori po kërkon me ngulm, i bindur se nuk e merr, qeverinë teknike.
Gazeta Si: Besoni se Prokuroria e Posaçme ka kryer punë tani me nivelet e larta të qeverisë, me ministrat; dhe kryeministri është më i çliruar nga kjo barrë?
Lorenc Vangjeli: Dukja është një nga gënjeshtaret më të mëdha në Tiranë. Duket sikur dhe në SPAK kanë hapur çadrat e plazhit, por, në fakt, koha e keqe për shumë mëkatarë nuk fshihet dot poshtë tyre. Eshtë çështje kohe që disa personazhe të rëndësishëm dhe, natyrisht, shumë të pasur jo vetëm sipas standarteve ballkanase, do të jenë të gatshëm të paguajnë shumëfishin e asaj që kanë marrë padrejtësisht për të blerë të shkuarën e tyre. Fatkeqësisht, askush nuk e ka blerë të shkuarën vetjake, që ta bëjnë këtë mëkatarët tanë lokalë, disa prej të cilëve krejt qesharakë.
Gazeta Si: Pse kryeministri zgjodhi 3 ministra me profil teknik, të papërfshirë në struktura të larta drejtuese të PS?
Lorenc Vangjeli: Sepse për Ramën nuk ka asnjë rëndësi emri, por parimi. Parimi i tij i pandryshueshëm shkon që nga rikonfirmimi i befasisë së pushtetit të tij e deri tek nevoja që të ketë vartës poshtë dhe partnerë anash. Shoqëruar kjo edhe me ndryshime të tjera të mundshme të të njëjtit profil, Rama do të mundë të bëjë qesharake edhe kërkesën e Berishës: qeveri teknike deshe, teknike e ke qeverinë!
Kështu që, në thelb, kjo është një lëvizje politike, është një bunker formal që ai do ta përdorë për veten. Në afat të gjatë, gjasat janë qe të larguarit – ata që kanë bast të hapur me drejtësinë – do të vendosen poshtë vizës së sigurisë në listat e deputetëve. Kush del mbi ujë fiton, kush zhytet, i heq Ramës sekëlldinë e të mbarturit mbi vete të peshës se tyre.
Gazeta Si: Promovimi i të rinjve profesionistë jo politikë si ministra është preludi se të tilla do të jenë edhe listat për deputetë, vendet e sigurta të paktën?
Lorenc Vangjeli: Nuk ka lidhje vetëm me ta, por me filozofinë e rilindjes së nevojshme të vetë Rilindjes së Ramës. Rrugëtimi i disa prej emrave me të cilët ai po bashkëjeton që nga 2013-a duket se ka marrë fund. Shumë nga ta në kushtet e një vendi normal, do të duhej të ishin në shtëpi prej kohësh, në rastin më të mirë, dhe jo në vilat vetjake që i kanë marrë me qira për herë të dytë nga viti i shkuar.
Gazeta Si: Kur flisni për tmerrin që mund të shpërthejë në PS për shkak të konflikteve personale, i referoheni betejës për pasardhësin? Nuk është disi e parakohshme kjo, kur Rama duket shumë i fortë?
Lorenc Vangjeli: Thelbi është ky, por jo vetëm. Ka ca nga ta që u ngjajnë atyre mysafirëve në një banket falas, që sytë e nepsin e kanë tek pjata e tjetrit. Dhe për të futur duart në atë pjatë, janë të gatshëm të thyejnë shume pjata e të bëjnë rrëmujë në shtëpinë e festës. Çështja e pasardhësve në politikë, në të majtë e të djathtë, është tabu dhe vija e kuqe që djeg fillimisht atë që e çon qoftë dhe në mend.
Gazeta Si: Ditën e kongresit të PS u bë virale një foto mes Erion Veliajt dhe Belinda Ballukut. Pajtoheni me idenë se kandili i Veliaj po fiket dhe ylli i Ballukut vazhdon në ngjitje? Ka nga ata që e quajnë këtë të fundit qeveria “Balluku”.
Lorenc Vangjeli: Jo! Ju thashë, në Tiranë asnjëherë nuk është ashtu siç duket. Konflikti, kryesisht si një rrugë me një kah lëvizjeje mes Veliajt e Ballukut, është nje sekret publik që e di gjithkush në Tiranë. Mjaft të shihet dhe reagimi opozitar ndaj tyre, për të kuptuar se cilin konsideron të rrezikshëm Doktori. Veliaj është qenie politike që ka edhe aksione personale, ndryshe nga Balluku që forcën e saj e ka kryesisht nga pozicioni zyrtar qe mban. Ka njerëz në PS që e ndjekin Veliajn se e besojnë, kurse Ballukun e duartrokasin se e kanë frikë. Të dy janë te gatshëm ta bëjnë shpirtin gur për t’u përdorur për piedestalin e Ramës, por ka pasur gurë të rëndësishëm që e kanë braktisur këtë piedestal për shkak të Ballukut.
E njëjta peshore vlen dhe për Ramën, që në qëndrimin ndaj të dyve dhe në një zgjedhje të mundshme mes të dyve, do të niset nga interesi vetjak dhe jo nga arsye të tjera. Politika është një zanat cinik dhe në toka të paqëndrueshme si Shqipëria politike, e ngjitura lart, shpesh thotë të kundërtën e asaj që duket në pamje të parë. Dhemb më shumë rrëzimi, kur nuk ka me lartësi për të ngjitur dhe është më e tmerrshme pritja për atë që do të ndodhë sesa tmerri i asaj që mund të ndodhë!
Intervistoi: Elona Meço
Gazeta Si