Këtë fundjavë starton Kategoria Superiore dhe që në javën e parë rezervohen përballje interesante. Gjithçka nis të dielën me takimin Dinamo-Egnatia në stadiumin Elbasan Arena. Kampionët në fuqi përballë nëndetëses blu. Të dyja skuadrat duan ta nisin me këmbën e mbarë sezonin e ri dhe për këtë do të luftojnë që në start për të marrë 3 pikë.
Trajnerin Tetova e shqetëson Edison Ndreca që ka një problem muskulor dhe stafi teknik me shumë mundësi nuk do ta rrezikojë të dielën në Elbasan. Egnatia është kthyer në një mace të zezë për Dinamon pasi në tre sezonet e fundit, janë përballur 8 herë mes tyre dhe kryeqytetasit nuk kanë mundur të provojnë asnjëherë shijen e fitores ndaj ekipit rrogozhinas.
Nga ana tjetër në po të njëjtin orar, në orën 20:00, Teuta pret në stadiumin Niko Dovana, Bylisin, ekipin e ngjitur këtë sezon në elitë.
Të hënën spikat supersfida, Partizani përballë Vllaznisë. Dy ekipe me ambicie maksimale, rival direktë prej shumë vitesh do të matin forcat që në javën e parë me synimin e vetëm fitore.
Ndërkohë Tirana do të luajë me Laçin në transfertë, ndërsa Skënderbeu pret Elbasanin në Korçë.
/a.r