Lëvizja e makinave dhe e mjeteve në Rrugën e Bregut, parashikohet që Brenda vitit që vjen të jetë më e shpejtë, duke shmangur trafikun që krijohet sidomos gjatë periudhës së sezonit turistik.
Për këtë, qeveria shqiptare parashikon ndërtimin e një aksit të ri rrugor Dhërmi-Palasë me gjatësi prej 4 km. Rruga e re synon të shmangë kalimin nëpër zonat e banuara për të lehtësuar qarkullimin.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka çelur garën për studimin dhe projektimin e saj me një fond limit prej rreth 82 milionë lekësh. Gjurma e rrugës që duhet studiuar pritet të kalojë në katër bashki të ndryshme, që janë Delvina, Himara, Finiqi dhe Saranda.
Të gjitha këto bashki kufizohen mes njëra-tjetrës dhe ndodhen në pjesë jugore të vendit tonë. Ajo që kërkohet në termat e referencës është studimi dhe hartimi i një projekti të detajuar që merr për bazë dhe zbaton standardet e rregullores teknike të projektimit dhe ndërtimit të rrugëve, për aksin rrugor “Rruga e Bregut”, (Dhërmi – Sarandë).
Segmenti rrugor do klasifikohet si kategoria C2 “rrugë ndër-urbane dytësore”, në përputhje dhe vazhdimësi edhe me segmentin rrugor tashmë të ndërtuar (Palasë – Dhërmi).
Si fillim projekti (km 0+000) do të merret fundit (rreth rrotullimin) i segmentit rrugor Palasë – Dhërmi. Rruga e Bregut është e vetmja që lidh shumë zona të banuara bregdetare, ndër të cilat fshati Dhërmi, fshati Ilias, kryqëzimi për në Manastirin e Shën Teodorit, fshati Vuno, Jala, qyteti i Himarës, fshati Livadh,Porto Palermo, fshati Qeparo, fshati Borsh, Piqeras, Bunec, Lukovë, Shën Vasil, Nivicë e Kakome.
/a.r