GjKKO ka lënë në fuqi masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për Plaurent Dervishajn, në lidhje me dosjen “asgjë nuk harrohet” ku akuzohet për vrasjen e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut.
Në seancën e sotme gjyqësore Dervishaj ka pretenduar se sjellja e tij në Shqipëri nuk është as deportim as ekstradim por është ‘rrëmbim personi”
Gazetarja e Shqiptarja.com dhe Report Tv, Keti Banushi ka zbuluar detaje nga deklaratat e Dervishajt në gjyq ku ka treguar dhe si është marrë nga banesa e tij në Dubai për tu sjellë më pas në Shqipëri.
“Më 6 gusht më kanë ardhur në shtëpi forcat speciale të Dubait. Më kanë thyer derën me pretekstin se të rrezikohet jeta dhe kundrejt teje po zhvillohet një atentat. E kanë çuar te stacioni i policisë në Dubai dhe nuk është lejuar të flasë me avokatin. Aty e kanë mbajtur 10 ditë dhe më pas me kanë hipur ne avion dhe arrestimi është bërë në Rinas”, tha ai.
Dervishaj u soll në Tiranë më 14 gusht, ndërsa në Rinas i shoqëruar nën masa të forta sigurie u shfaq me shapka dhe pantallona të shkurtra cka tregon se sjellja e tij në Tiranë ishte bërë në një operacion të fshehtë dhe të shpejtë.
Sa i takon dy vrasjeve të bujshme për të cilat Dervishaj doli sot në masë sigurie ka pretenduar se është i pafajshëm dhe nuk ka lidhje me ngjarjen.
Anëtari i Bandës së Durrësit, akuzohet për vrasjen e Klodian Saliut në 2005, kryer në bashkëpunim si dhe Vajdin Lamajt e Artan Arsit me eksploziv, po në të njëjtin vit.
Si u vra Vajdin Lame?
Presidenti i Federatës së Boksit Vajdin Lame dhe mikut të tij, Artan Arsi, u vranë më 27.02.2005, rreth orës 24.00 në njërën nga kullat mbrapa stadiumit “Qemal Stafa”. Dy viktimat janë përballur me një sasi të konsiderueshme eksplozivi porsa kanë vënë këmbë në ashensor. Tritoli ishte i pajisur me telekomandë dhe qe vendosur në një nga anët e ashensorit, duke realizuar shpërthimin në katin e pestë të kullës, ku dhe banonte Lame. Presidenti i Federatës së Boksit ka vdekur në vend, ndërsa Arsi gjatë rrugës për në spital.
Si u vra Klodian Saliu?
Klodian Saliu, anëtar i bandës famëkeqe të Durrësit, u vra me 26 shkurt të vitit 2005. Në vitin 2003, si pasojë e kontradiktave të brendshme, organizata u nda në dy të tjera, të kryesuara respektivisht nga Lulzim Berisha dhe Klodian Saliu. Të dyja këto organizata u kthyen në rivale të njëra- tjetrës duke filluar një luftë ndërmjet tyre. Shpallja në kërkim e Dervishajt u bë pas rrëfimit të Luftar Reçit