Pas 12 ditësh, është normalizuar situata në Parkun Kombëtar të Prespës. Një gjë e tillë bëhet me dije nga kryetari i Bashkisë Pustec, Pali Kolefski, kur tha se kjo u bë e mundur falë ndërhyrjes për dy ditë me radhë nga ajri me avionin rumun, por edhe falë punës së bërë nga 150 forca të angazhuara në operacionin e izolimit të flakëve, prej tyre 60 forca të ushtrisë, ndërsa pjesa tjetër shërbimi zjarrfikës, zonave të Mbrojtura dhe punonjës të Bashkisë Pustec.
Sipas Kolefskit, ditën e sotme vijon të jetë aktive vetëm një vatër zjarri në majë të Malit të Thatë, aty ku forcat do të përqendrohen me qëllim izolimin e flakëve.
Kolefski bëri me dije se pas dy ditësh operacioni i fluturimeve nga ajri ndërpritet, por kjo nuk do të thotë se në varësi të situatave të mos ketë edhe njëherë tjetër ndërhyrje të tillë.
/a.r