Ushtria e Ukrainës ka kaluar kufirin në një tjetër rajon rus, atë të Belgorodit ku gjithashtu po zhvillohen luftime të ashpra. Një lëvizje që tregon qartë se synimet e Kievit nuk lidhen vetëm me rajonin e Kurskut.
Në dy javë operacion, Ukraina ka arritur një varg fitoresh duke depërtuar rreth 40 km në brendësi të territorit rus, ndonëse tani do të jetë më e vështirë pasi Kievi planifikon të mbajë territorin.
Për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, një territor i Rusisë, fuqi bërthamore, është i pushtuar.
Presidenti Volodymyr Zelensky thotë se trupat ukrainase vazhdojnë të përparojnë më thellë në rajonin Kursk, ndërsa u formua një administratë ushtarake ukrainase në qytetin rus Sudzha. Por përveç zgjidhjes së çështjeve logjistike e humanitare, krijimi i një administrate ukrainase në qytetin e pushtuar rus dërgon një mesazh të qartë: Ukraina synon të qëndrojë, të paktën tani për tani.
Vetëm brenda një dite të paktën 170 ushtarë rusë janë dorëzuar në rajonin e Kurskut. Numri i lartë i ushtarëve të kapur rob nga Ukraina ka nxitur Moskën të kërkojë shkëmbim urgjent të tyre. Një pjesë e robërve të luftës të kapur nga ukrainasit janë pjesë e forcave speciale çeçene Ahmat.
Ministri rus i Mbrojtjes Andrei Belousov njoftoi përforcime të reja dhe hartimin e një plani me “masa shtesë” për të mbrojtur popullsinë dhe infrastrukturën në zonat në kufi. Belousov tha se objektivi është sigurimi i “integritetit territorial” në rajonet kufitare.
Imazhet satelitore nga Planet Lab dhe Maxar tregojnë llogore të shumta, të ndërtuara nga Rusia larg nga kufiri në rajonin e Kurskut. Rusia deri më tani është mbështetur në njësitë ushtarake afër Kurskut për të zmbrapsur forcat ukrainase, por duket se tërheqja e më shumë trupave nga fronti i Ukrainës është e pashmangshme.
/a.r