Nga rrëzimi i helikopterit turistik afër një parku kombëtar në Tenesi të Shteteve të Bashkuara, janë vrarë të pesë personat që ishin në bord, kanë thënë zyrtarët.
Sipas tyre, rrëzimi ka ndodhur mbrëmë vonë, ndërsa helikopteri ishte përfshirë nga flaka pas përplasjes.
Pas afro katër orëve nga përplasja, dhjetëra makina të shërbimeve emergjente kanë arritur në vendin e ngjarjes, raporton agjencia AP.
Bordi i Sigurisë Kombëtare të Transportit tha se hetuesit nga kjo agjenci janë nisur në skenën e rrëzimit të helikopterit turistik.
Ekspertët theksojnë se është herët të përcaktohet shkaku i përplasjes, por disa operatorë të helikopterëve turistikë dihet se ndonjëherë janë të pakujdesshëm për t’i “ngazëllyer turistët” dhe fluturojnë shumë afër drunjëve ose ujëvareve, apo ndërmarrin manovrime të rrezikshme.