Studiuesit kinezë, në bashkëpunim me homologët e tyre nga Franca, Gjermania dhe Irlanda, kanë zbuluar se ndërmjet 650 dhe 280 milionë vjet më parë, largësia Tokë-Hënë u shtua me rreth 20 mijë km dhe dita u zgjat me rreth 2.2 orë, raportoi të martën gazeta “Science and Technology Daily”.
Rrotullimi i Tokës është ngadalësuar me kalimin e kohës për shkak të shpëndarjes së baticës, por shkalla e këtij ngadalësimi nuk është përcaktuar vazhdimisht, sipas një artikulli studimor mbi këtë temë të botuar në revistën “Proceedings of the National Academy of Sciences” (PNAS).
Studiuesit analizuan tetë grupe të dhënash gjeologjike për të rikrijuar historinë e rrotullimit të Tokës nga 650 milionë deri në 240 milionë vjet më parë. Zbulimet e tyre u dhanë mundësi të testonin modelet fizike të baticës dhe të identifikonin një model shkallësh në ngadalësimin e Tokës ndërmjet 650 e 280 milionë vjet më parë.
Më saktësisht, ka dy periudha kur ka ndodhur një ngadalësim i madh në rrotullimin e Tokës, përkatësisht nga 650 milionë në 500 milionë vjet më parë dhe nga 350 milionë deri në 280 milionë vjet më parë, të ndara nga një interval i ndalimit të ngadalësimit nga 500 milionë në 350 milionë vjet më parë.