Në një ditë intensive pune për policinë e shtetit, ishte kreu i saj Muahmet Rrumbullaku që njoftoi se në Gjermani është vënë në pranga i shumëkërkuari i drejtësisë shqiptare, Fabio Ballabani (alias Fabio Zyberaj, Ivi Zyberaj).
Policia më pas në një njoftim për mediat ka sqaruar se Ballabani është ndaluar si rezultat i shkëmbimit të informacioneve intensive të “Fast Albania” me “Fast Gjermani” dhe pritet së shpejti ekstradimi i tij në atdhe, pasi rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Kujtojmë se Fabio Ballabani njihet si anëtar i bandës së Emiljano Shullazit, i cili ishte shpallur në kërkim nga SPAK për ngjarjen e ndodhur në muajin prill të vitit 2019, ku u kërcënua me jetë dhe u dhunua Kristaq Prifti, bashkëshorti i gjyqtares Saida Dollani.
Prifti denoncoi se u kërcënua me pistoletë, me ngjarjen që dyshohet të ketë lidhje me çështjen Shullazi, pasi bashkëshortja e tij ishte pjesë e trupës gjyqësore ndaj Emiljano Shullazit dhe grupit të tij.
“Në një moment dola për të pirë një cigare nga një lokal ku isha me një mikun tim. Në atë moment kaloi gruaja ime me një shoqe dhe vajzën e saj, ndërsa pak minuta më pas erdhi një djalë i ri rreth 20-22 vjeç. Ai erdhi direkt me pistoletë në dorë, më rrëzoi në tokë dhe më drejtoi pistoletën në gojë dhe mu drejtua me fjalët ‘ti me atë tët shoqe mos harro se ke dy fëmijët në Francë’. Kërcënimi ka ndodhur për shkak të funksionit të bashkëshortes time si gjyqtare në gjykatën e Apelit për Krime të rënda“, dëshmoi asokohe në polici, Kristaq Prifti.
Më pas GJKKO vendosi për Fabio Ballabanin masën e sigurisë “arrest me burg” për veprat penale “goditje ndaj pjesëtarëve të familjes të një personi, i cili kryen një detyrë shtetërore në sistemin e drejtësisë, e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”, “grup i strukturuar kriminal”, “kryerja e veprave penale nga grup i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
/a.r