Kryeministri Edi Rama merr pjesë në prezantimin e projektit të sheshit Skënderbej, duke e cilësuar atë si aktivitetin e parë të Bashkisë së Tiranës ku ai merr pjesë.
“Jo se nuk kam dëshiruar të merrja pjesë herët e tjera, por këtë herë bëhet fjalë për një aktivitet të një rëndësie të jashtëzakonshme, pasi bëhet fjalë për ndërhyrje të jashtëzakonshme dhe transformim të jashtëzakonshëm në zemrën e Tiranës, që është edhe zemra e Shqipërisë, zemra e gjithë shqiptarëve”, tha Rama.
Punimet në sheshin Skënderbej nisën që në kohën kur Rama ishte kryetar bashkie, me ndërtimin e sistemit të nëndheshëm poshtë tij, por me ardhjen e Lulzim Bashës gjithçka u ndërpre.
“Bëhet fjalë për vazhdimin jo pasiv por krijues të një projekti të nisur vite më parë, për të përmbushur një ambicie legjitime që Tirana të ketë një shesh që në hapësirën e trashëguar të sheshit t’u ofrojë të gjithëve një pikë referimi të palëvizshme”, tha Rama.
“Ka ndodhur shpesh që projekti ynë i rilindjes urbane të kritikohet sepse transoformojmë sheshet e qyteteve. Kritikohet me dritëshkurtësinë se njerëzit kanë nevoja të tjera, jo për sheshe, se njerëzit nuk përfitojnë ekonomikisht nga sheshet e kështu me radhë”.
“Sheshi është identiteti i një vendbanimi e komuniteti, pika e referimit të tij. Tirana është një qytet, identiteti i të cilit është goditur mu në zemrën e vet”, tha kryeministri.
Rama ironizoi Bashën, për ndryshimet që i bëri projektit të sheshit, duke thënë se e la Skënderbeun si polic trafiku në shesh.
“Skënderbeu mbi kalë mes barit duket si polici për t’i dhënë drejtim makinave, e bënë Skënderbeun polic trafiku të një kartodromi kur makinat xhirojnë në mes të sheshit. Mendoj që kam fituar aftësi t’i justifikoj çdo të metë vendit e Shqipërisë përballë cinizmit të të huajve, por skam gjetur asnjë justifikim kur kam dëgjuar pyetjen nga gjithë njerëzit që vizitojnë Tiranën, ‘Ça është kjo gjëja këtu?’. Pyetje që të lë pa frymë, ça ti thuash, e lanë Skënderbeun mes barit atje vetëm sikur është supervizori i Policisë Bashkiake”, tha Rama.
Duke theksuar se tashmë sheshi “Skënderbej” nuk mund të jetë shesh makinash, por një shesh i njerëzve që zgjedhin për të kaluar aty, Rama tha: “Do bëhet edhe Skënderbeu pjesë normale dhe do prehet i qetë më në fund. Ajo që po ndodh me sheshin e ka rrotulluar aty ku fle heroin tonë kombëtar”.