Situatë dramatike nga zjarret në verilindje të Athinës. Zjarret që kanë pushtuar Greqinë dhe sidomos në periferi të Athinës rreth 14 kilometra nga qendra e qytetit vijojnë që të mbeten jashtë kontrollit.
Një grua rreth 60 vjeçe është gjendur e djegur në një punishte në zonën e quajtur Patima Halandriu. Trupi i saj u gjend në një prej tualeteve të ambienteve të punës ku ajo ishte përpjekur të mbrohej nga flakët.
Vatrat më të mëdha të zjarreve janë në Pentelis, në Dionisos, Halandri, Vrilissia si dhe në Maratonë.
Sipas autoriteteve helene bëhet fjalë për frontin më të fuqishëm të zjarrit për këtë vit, që ka detyruar qindra njerëz të largohen, pasi ka djegur dhjetëra shtëpi, pemë dhe makina gjatë natës. Aktualisht në këtë front operojnë 670 zjarrfikës, të ndihmuar nga 183 automjete zjarrfikëse, të mbështetur me 17 avionë dhe 18 helikopterë që hedhin ujë nga ajri.
Situata bëhet edhe më kritike për shkak të erërave të forta dhe të vazhdueshme, thatësirës, por edhe për shkak të terrenit shumë të ashpër dhe të pakalueshëm në një pyll të dendur.
Ndërkaq dy makina zjarrfikëse janë djegur në Nea Vuça ndërsa është plagosur një zjarrfikës. 65 persona janë shtruar në spital për shkak të probleme me asfiksimin nga tymi.
Janë djegur shtëpi, biznese, shkolla dhe dhjetëra mijëra hektarë pyje.
Autoritetet greke janë në alarm të kuq për zjarre në më shumë se gjysmën e vendit të paktën deri të enjten pasi edhe temperaturat që parashikohen të arrijnë mbi 40 gradë Celsius.
Nga Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile sipas shefes së Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen janë angazhuar për shuarjen e zjarrit dy avionë nga Italia dhe një helikopter nga Franca. Gjithashtu, janë duke u dërguar në vendngjarje zjarrfikëse nga Republika Çeke dhe Rumania.
/a.r