Një video nga atmosfera në Libohovë ka qenë në qendër të një postimi në rrjetet sociale nga kryeministri Edi Rama, sipas të cilit, Libohova është e mbushur plot me turistë të huaj e pushues vendas.
Sipas tij, kur ishte kryetar i opozitës, Libohova ishte e harruar nga zoti, ndërsa sot gjallon e tëra nga turistët vendas dhe të huaj.
“Kur kam shkuar për herë të parë në Libohovë, si kryetar i opozitës, ishte si një nga shumë qytezat e Shqipërisë që “i kishte harruar edhe Zoti”, me kishën e mahnitshme që po binte në vetmi, rrugën kryesore ku asfalti dukej si lëkurë e shqyer krokodili, shtëpitë si fantazma nën muret e murrme të kalasë së heshtur të Shanishasë dhe njerëzit si hije nëpër diell. Të flisje për një të ardhme me turizëm e për turistë të huaj që do të ngjiteshin deri aty ku edhe gurët kishin marrë rrugën teposhtë, ishte si të premtoje zbritjen e marsianëve me mushka fluturuese për të shijuar natyrën, traditat dhe ushqimet e Libohovës”, shkruan Rama në Facebook.
Sipas tij, sot nuk janë marsianët, por janë turistë nga të katër anët e botës dhe vizitorë që jo vetëm ngjiten në qytezën e veçantë, për të shijuar bukurinë magjepsëse të kishës së restauruar, historinë, natyrën dhe mikpritjen libohovite, po edhe për të hedhur valle në mbrëmje mbi qilimin e gurtë të Rilindjes Urbane, që pret përditë miq të rinj, “aty ku deri dje vetëm përcilleshin përmes gropave e pluhurit të mbeturit që shkonin për në banesën e fundit”.
/a.r
po eshte festa qe behet 1 here ne vit,patjeter qe do kete njerez,tregoje ne dite normale thuaj asaj ministrices