Mesdheu është përfshirë së fundmi nga një valë i të nxehtit e temperaturave të larta nuk i ka shpëtuar as Shqipëria. Megjithatë, situata më e vështirë duket në Greqi pasi në kryeqytetin Athinë ka zjarre të mëdha shumë pranë qendrës duke djegur edhe banesa.
Por çfarë po ndodh me motin? Shkencëtarët thonë se moti ekstrem po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm dhe më i fortë si rezultat i ndryshimeve klimatike.
Më shumë reshje ekstreme
Kur temperatura mesatare rritet me 1 gradë Celsius, atmosfera mban 7 përqind më shumë lagështi. Kjo rezulton në më shumë reshje të dendura shiu, ndonjëherë në hapësira të shkurtra kohore dhe zona të vogla.
Botërisht, shirat e dendura janë bërë më të zakonshme për shkak edhe të aktivitetit të njerëzve, sipas Kombeve të Bashkuara. Një raport thotë se kjo do të vazhdojë me ngrohjen globale. Shkencëtarët vlerësojnë nëse ngjarjet individuale ekstreme të motit mund t’i atribuohen ndryshimeve klimatike duke marrë parasysh shkaqet natyrore dhe njerëzore.
Për shembull në rastin e shirave që ranë në Dubai në Prill të këtij viti është e vështirë të përcaktosh qartë se sa rol ka luajtur ndryshimi i klimës. Shirat e fuqishëm janë të rralla në këtë rajon, duke iu ofruar kërkuesve pak krahasime historike. Por këto lloj ngjarjesh natyrore janë bërë 10-40 përqind më të forta dhe ndryshimi klimatik është një nga shpjegimet më të mundshme sipas Shoqatës Botërore të Motit (WWA).
Në Maj të këtij viti, jugu i Brazilit përjetoi shira të dendur çka çuan në rrëshqitje të mëdha dherash duke zhvendosur 150 mijë njerëz nga banesat e tyre. Rajoni i Rio Grande do Sul që u prek është shumë vulnerabël ndaj shirave të dendur pasi është pika e takimit mes masave ajrore polare dhe tropikale.
Shkencëtarët besojnë se shirat e rrëmbyeshëm shkaktuan rrëshqitjet e dherave në veri të Libisë në Shtator 2023. Paqëndrueshmëria politike në vitet e fundit në këtë rajon penguan autoritetet që të përgatiten për ngjarje të tilla.
Valë temperaturash më të nxehta dhe më të gjata
Edhe një rritje e vogël në temperaturat mesatare bën diferencë të madhe në ekstremet e nxehtësisë. Temperaturat ditore po lëvizin drejt një niveli më të ngrohtë dhe kështu ditët më të nxehta po bëhen më të zakonshme dhe më të forta.
Në Prill 2024, temperaturat në Mali arritën 48.5 gradë Celsius gjatë një vale të nxehti në rajonin Sahel të Afrikës. Kjo u lidh me një rritje të numrit të shtrimeve në spital dhe vdekjeve të njerëzve.
Ky nivel temperaturash nuk do ishte i mundur pa ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njerëzit, tha WWA duke shtuar se këto do të bëhen më të zakonshme teksa bota vazhdon të bëhet më e ngrohtë.
Ndërkohë valët e të nxehtit po bëhen më të gjata në shumë vende, duke përfshirë këtu edhe Mbretërinë e Bashkuar që në 2022 përjetoi për herë të parë temperaturën 40 gradë Celsius.
Shkencëtarët thonë se kjo mund të ndodhë si shkak i “kupolave të nxehtësisë” të cilat janë zona me presion të lartë ku ajri i nxehtë shtyhet dhe bllokohet duke bërë që temperaturat të rriten në zona të mëdha.
Ka një teori që thotë se temperaturat e larta në Arktik, të cilat janë rritur katër herë më shpejt se mesatarja botërore, po shkaktojnë erëra të forta duke rritur mundësinë e “kupolave të nxehtësisë”.
Thatësira më të gjata
Të lidhësh ndryshimet klimatike me ndonjë thatësirë specifike është paksa e vështirë. Disponueshmëria e ujit varet nga shumë faktorë dhe jo vetëm nga temperatura e reshjet. Por valët e të nxehtit që nxiten nga ndryshimet e klimës mund të përkeqësojnë situatën e thatësirave. Kjo bën që ajri të ngrohet më shpejt duke çuar në të nxehtë më të fortë.
Gjatë periudhave me mot të nxehtë, rritja e kërkesës për ujë, sidomos nga fermerët, i vendos sistemet e furnizimit me ujë nën presion. Në disa pjesë të Afrikës Lindore, kanë dështuar rresht pesë sezone shirash mes 2020 dhe 2022 duke bërë që rajoni të vuajë thatësirën më të keqe në 40 vjet. Kjo bëri që 1.2 milionë njerëz vetëm në Somali të zhvendosen.
Ndryshimet e klimës kanë bërë që thatësirat të ndodhin 100 herë më shumë. Ngrohja globale e shkaktuar nga njerëzit është gjithashtu faktori kryesor i thatësirës në Amazonë.
Më shumë zjarre
Zjarret ndodhin natyrshëm në shumë pjesë të botës. Është e vështirë të përcaktosh nëse ndryshimet klimatike kanë shkaktuar apo përkeqësuar një zjarr specifik sepse ndikojnë edhe faktorë të tjerë. Megjithatë ndryshimet e klimës po i bëjnë kushtet e motit më të mundshme për përhapjen e zjarreve.
Nxehtësia ekstreme dhe afatgjatë tërheq më shumë lagështi nga toka dhe bimësia. Këto kushte të thata janë si lëndë djegëse për zjarret të cilat mund të përhapen në shpejtësi të jashtëzakonshme veçanërisht nëse ka erëra të forta. Temperaturat e në rritje mund të rrisin shanset për vetëtima në pyje duke nxitur zjarre.
Efektet e kombinuara të ndryshimit të përdorimit të tokës dhe ndryshimeve klimatike nënkuptojnë se zjarret parashikohen të bëhen më të shpeshta dhe më intensive në të ardhmen. Numri i zjarreve ekstreme mund të rritet deri në 50% deri në vitin 2100 sipas Programit Mjedisor në OKB.