Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka kthyer sot zyrtarisht përgjigje letrës së Kryetares së Kuvendit për mos mbledhjen e Kuvendit në një seancë të jashtëzakonshme për të zbatuar pa vonesa vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Olta Xhaçkës.
Në letrën e firmosur nga Kryetari i Grupit Gazment Bardhi, nënvizohet se “mbledhja e Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm, kur kërkohet nga jo më pak se një e pesta e deputetëve, si një prej subjekteve kushtetuese që përmendet shprehimisht në nenin 74, pika 2 e Kushtetutës, është e detyrueshme për Kryetaren e Kuvendit, që ka vetëm një përgjegjësi që datën e sesionit ta caktojë brenda periudhës “3 ditë nga paraqitja e kërkesës”.
“Rezulton se ju keni thirrur në fakt një sesion të jashtëzakonshëm të Kuvendit, duke urdhëruar “mbledhjen jashtë sesionit të Këshillit të Legjislacionit”, por në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, së pari, e keni caktuar mbledhjen e organeve të Kuvendit përtej afatit “3 ditor” që përcakton qartësisht Rregullorja; dhe së dyti, nuk keni caktuar mbledhje të seancës plenare”, thuhet në përgjigjen zyrtare të grupit parlamentar të PD.
Grupi Parlamentar i PD e konsideron mbledhja e Këshillit të Legjislacionit në këtë rast si krejtësisht të panevojshme, duke sjell në vëmendje se vetë Gjykata Kushtetuese, në vendimin nr. 55/2024 ka konsideruar se Kuvendi nuk ka vepruar në përputhje me Kushtetutën për sa kohë çështjen e ekzekutimit të vendimit të saj ia ka nënshtruar vlerësimit të Këshillit për Legjislacionin dhe Këshillit për Mandatet.
“Si rregull, mbledhja e Kuvendit në një sesion të jashtëzakonshëm, pra në një seancë plenare të jashtëzakonshme, paraprihet edhe nga mbledhja e organeve të tjera të Kuvendit, pra të komisioneve apo këshillave parlamentar. Për këtë arsye, pika 2 e nenit 42 të Rregullores së Kuvendit, ka vendosur dy detyrime për Kryetarin e Kuvendit, për thirrjen e një sesioni të jashtëzakonshëm (1) Thirrjen e mbledhjes së Kuvendit jo më vonë se 3 ditë nga paraqitja e kërkesës; (2) Caktimi i një rendi të mbledhjeve të komisioneve dhe të seancës plenare brenda këtij afati.” – sqarohet në përgjigje.
/a.r