Kosova shpesh herë konsiderohet si shtet me kriminalitet të lartë, porse vendi ynë nuk ka numër edhe aq të lartë të personave të burgosur.
Në burgjet e Kosovës aktualisht gjenden rreth 1600 persona të dënuar apo të dyshuar për vepra të ndryshme penale.
Në mesin e të burgosurve ka edhe persona të cilët fuqinë që kanë pasur jashtë e tregojnë edhe brenda mureve të burgut. Disa prej të burgosurve, e që janë njerëz të fuqishëm nuk trajtohen si të burgosurit te tjerë.
Por, një gjë të tillë e mohon ushtruesi i detyrës së drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues, Sokol Zogaj.
Sipas, Valentina Demollit, nga Këshilli për Mbrojtjen, Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, ata në raportet e tyre kanë dalë me qëndrimin se ky shërbim duhet të ketë edhe qendrën e vetë spitalore, ku të burgosurit do të mund t’i kryenin kontrollet e tyre mjekësore.
Sipas Zogajt ky shërbim sfidohet më së shumti nga buxheti i ulët dhe mungesa e stafit. Mungesën e buxhetit dhe të stafit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, e pohon edhe KMLDNJ.
Viteve të fundit Shërbimi Korrektues i Kosovës është karakterizuar me një mori lëshimesh të cilat kanë ndodhur me ose pa dijeninë e tyre .
Rasti i ndërtimit të dhomës së veçantë në burgun e Prizrenit nga një i burgosur ishte skandali më i madh, i pasuar kështu me skandalin tjetër, të ikjes së Sami Lushtakut nga QKUK-ja.