Behgjet Pacolli, që Gjykata Kushtetuese e kishte rrëzuar nga ulësja e Presidentit për shkelje të procedurave gjatë zgjedhjes së tij ka reaguar ndaj vendimit të këtij organi që ka të bëjë me komentin ndaj zgjedhjes së Hashim Thaçit.
“Sot definitivisht Kosova ka Presidentin e radhës. Pa asnjë pretendim emocional e pa aspak xhelozi, urime Z. President! Por për hir të korrektësisë më duhet të përmend turpin e radhës të organit më të lartë juridik të vendit; Gjykata Kushtetuese sot kundërshtoi veten dhe ky është një turp.
Ky është një argument më shumë pse duhet që Presidenti të zgjidhet nga populli. Gjykata Kushtetuese e bëri publik vendimin për ankimin e opozitës në lidhje me zgjedhjen e zotëri Thaçit si President”, ka thënë Pacolli.
Kushtetuesja e shpall të papranueshme kërkesën e opozitës rreth zgjedhjes së presidentit.
Pacolli teksa ka numëruar katër pika:
- Kjo Gjykatë u detyrua të merrte dy vendime që e kundërshtojnë veten për çështjen e Kuorumit. I njëjti njeri mund ta qortojë veten se bëri një turp 5 vjet më parë, por e njëjta Gjykatë jo. Sot Gjykata Kushtetuese i tha turp të kesh Gjykatës Kushtetuese të 5 vjetëve më parë. Krahasoni paragrafin 64 të aktvendimit me paragrafin 85 të aktvendimit të 5 vjetëve më parë.
Gjykata thotë (paragrafi 64) se në raundin e parë dhe të dytë mjafton të jenë të pranishëm dy të tretat e Kuvendit që të zgjidhet Presidenti.
Te henen (paragrafi 85) thoshte se duhet të votojnë 120 deputetë, minus ata që mungojnë.
Dy anëtarët perëndimorë të kësaj Gjykate në 2011-n, ishin në pakicë asokohe dhe u distancuan nga të tjerët, duke thënë se kuorumi i nevojshëm është më shumë se gjysma e anëtarëve të Kuvendit. E tash ata, të bashkuar njëzëri me gjithë të tjerët, po thonë diçka tjetër: duhet të jenë dy të tretat.
Kush e thotë të vërtetën dhe të drejtën? Po jua le juve ta kuptoni. Për mua, të dy këto vendime që kundërshtojnë njëri-tjetrin konfirmojnë veçse një send: Presidenti duhet të zgjidhet nga populli. Kështu as Kuvendi nuk turpërohet, as Gjykata Kushtetuese, nuk turpërohet, dhe as shteti ynë i ri nuk kalon trauma si këto që kaluam. Tani për tani kjo Gjykatë ka treguar se në Kosovë nuk ka drejtësi.
“Një ditë do të shkruhen libra për këtë fenomen të turpshëm”, ka thënë Pacolli.