Nga Besnik Bakiu
Fillim gushti, është një nga periudhat më të dhimbshme për Policinë e Shtetit. Me 2 gusht të vitit 2000, ra në krye të detyrës miku im i mirë dhe drejtuesi trim, Drejtori i Policisë së Shkodrës kolonel Arben Zylyftari (Dëshmori i Atdheut). Sot më 7 gusht mbushen 12 vite, nga rënia në krye të detyrës të punonjësve të policisë Fatos Xhani, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari e Kastriot Feskaj(Dëshmor të Atdheut).
Ata vërtetë u ndanë fizikisht nga kjo tokë e rrëmujshme, hileqare e zhurmshme, edhe budallaqe…, por mbetën në përjetësi simbol për një jetë më të qetë dhe më të bukur, për më shumë rend e siguri.
Këta shembuj na bëjnë që ende të shpresojmë se në Shqipërinë tonë hallemadhe (ku jo pak duan ta braktisin dhe të largohen), kanë ngelur ende heronj të heshtur, heronj që nuk kërkojnë vëmendje mediatike e favore, heronj të thjeshtë dhe të vërtetë.
Kujtoj atë ditë të trishtë të 7 gushtit 2009, ora 13.50, kur mora vesh për lajmin e kobshëm, se gjatë një aksioni policor për arrestimin e një shumë të kërkuari, në zonën e plazhit në Durrës, ranë në krye të detyrës 4 punonjës policie. I trishtuar dhe revoltuar u ula para kompjuterit për të shkruar komentin “Nuk dua më heronj”, të cilin e botova në një të përditshme. Ka qenë nga shkrimet më të vështira, pasi çdo fjalë që hidhja më tastierë më dukej e mangët, e paplotë. Luftoja me kompjuterin dhe nuk fitoja dot (sa ironi unë luftë me kompjuterin dhe miqtë e mi me krimin). Vërtetë ngjarje të tilla të lenë pa fjalë, edhe kur ajo të vjen është e pafuqishme për të përmbledhur gjëmën që kishte ndodhur. Ndihesha i pazoti, në kokë më bubullonin qiejt.
Miqtë e mij Arben, Kastriot, Sajmir, Fatos e Altin, mund ta linin të iknin kriminelët (dhe ishit të justifikuar, sepse koha dhe vendi ishin të papërshtatshëm), siç kanë ikur dhe shumë herë të tjera gjatë këtyre viteve “në arrati”(Arrati në Shqipëri?!!!). Ata edhe mund të shmangeshin sepse kishin shumë gëzime për të shijuar, njëri priste të bëhej baba, tjetri nuk kishte gëzuar shtëpinë e re, apo ishte me leje. Por jo, Ata nuk ishin nga ai brumë i thartuar. Ata ishin majaja e Policisë Shtetit. Ata bënë sakrificën më sublime, për hir të shoqërisë shqiptare dhe shtetit ligjor aq shumë të kërkuar prej saj.
Asnjëri prej Tyre nuk shkoi drejt vdekjes me dëshirë për t’u shpallur Dëshmor i Atdheut, por kur ajo u erdhi pranë, asnjërin nga Ata nuk u frigua. Ata nuk kishin kohë të mendonin as për të, duke e sfiduar edhe vet vdekjen. Për këto arsye Ju miqtë e mij do të keni nderimin tonë dhe do të kujtoheni në përjetësi.
Asnjëri prej tyre nuk e dinte se faqet e gazetave dhe kronikat e televizioneve ato ditë hapeshin me emrat e tyre. Heronj, dëshmorë, çfarë nuk i quajtën. Politikanë dhe shtetarë të të gjitha rangjeve e krahëve politikë artikuluan po ashtu. Ata nuk e morën vesh, as se Shqipëria mbajti zi. Por mua kjo nuk më ngushëllonte. As dhënia e titujve pas vdekjes, as tronditja e thellë e qeveritarëve, as muzika funebre e kanaleve televizive, as flamujt në gjysëm shtizë në dikasteret shtetërore, as breshëritë mortore. Jo se këto nuk kanë vlerë. Përkundrazi, por mua nuk më mjaftojnë. Protestoj dhe ulëras si Migjeni një shekull me pare “Deri kur keshtu ma?”; dhe pyes vetveten: “Pse kaq shumë heronj nga policia?”, “A e dini o njerëz të mirë, se numri i këtyre heronjve është 259 dhe gati po kaq janë të gjymtuar?” , “A është e nevojshme të kemi kaq shumë heronj?” etj.
Dhe po ashtu i kthej përgjigje vetvetes: “Jo, është shumë e rendë,e paperceptueshme dhe e pajustifikueshme”. Të gjithë këta heronj ishin njerëz të thjeshtë e të përkushtuar në punë, ata ishin prindër, ishin bijë nënash, ishin vëllezër, ishin shokë e miq të mirë. “Pse kjo shoqëri i ktheu në heronj?”. Në pafuqi të gjej pse-në,i drejtohem Zotit të plotfuqishëm, Përse o Zot?-e pyes, fëmija do babanë, prindi do fëmijën, motra do vëllanë, miqtë duan mikun. Asnjë nuk kërkon heroin, do njeriun e afërt ta ketë pranë. Por as vet Zoti nuk di të më përgjigjet.
Ndaj, i pafuqishëm për të ndryshuar gjë, ngushëllimin e gjej përsëri te vargjet e Migjenit të madh: “0, si nuk kam një grusht të fortë/ t’i bij mu në zemër malit që s’bëzanë,/ta dij dhe ai se ç’domethanë i dobët – /n’agoni të përdihet si vigan i vramë“.
Duke pranuar bashkëfajësinë personale si pjesë e gjithë shoqërisë shqiptare, unë në atë shkrim ngrita gishtin mbi kryefajtorët (mbi të cilët e ngreh edhe sot):
Ajo është POLITIKA e të gjitha krahëve. Fjalori agresiv i tyre në luftën politike, inkriminimi verbal që i bëjnë njëri-tjetrit për lidhje me trafiqet më të zeza në rajon, mbështetja që kërkojnë te krimi për të ardhur apo mbajtur pushtetin, etj. Është unikale në botë ajo që ndodhi (dhe po ndodh te ne) procesi i dekriminalizimit të parlamentit.
Fajtori i dytë është shteti në përgjithësi me konfliktin e ashpër ndërinstitucional dhe mungesën e besimit që prodhon nonstop këtë periudhë poskomuniste. Institucionet ligjzbatuese në vend që të zbatojnë detyrat e tyre, kërkojnë nga prapa kudo policinë, për të prerë kanabis, hedhur cadrat në plazhe, prishur ndërtime, e kudo ku agjencitë e tjera dështojnë në punën e tyre. Madje për turp të tyre dhe e akuzojnë policinë për inficencë. Kësaj i thonë nuk kam turp dhe nuk ke çfarë më bënë.
Është sistemi i drejtësisë, Prokuroria që nuk i kopsit mirë çështjet, madje (në jo pak raste) harron edhe elementaren, zbatimin e afateve proceduriale. Janë Gjykatat, konvejeri i pashtershëm i gjyqeve, seancave të pafund, alibive dhe kundëralibive nga avokatë e sekserë të krimit, që përfundojnë në rastin më të mirë me dënimin e butë të tyre, për të riprodhuar cirkuitin e pafund të kërkesave amnistale apo faljeve dhe uljeve të dënimit.
Është Nekromedia e mbushur me kronikë të zezë nga mëngjesi në mbrëmje; nekromedia që rend të numërojë viktimat që humbin jetën në rrugë, det apo diku tjetër, nuk gjen asnjë hapësirë për të thënë një fjalë të mirë për punën e vështirë që bëjnë kolegët tuaj të policisë. Të gjithë bëjnë sikur harrojnë faktin se Policia e ushtron veprimtarinë e saj në një shoqëri ku kultura ligjzbatuese është e mangët dhe shkelësit e ligjit janë në mazhorancë.
Nejse miqtë e mi që na shikoni nga Parajsa, t’i lëmë fajtorët t’i gjej Drejtësia që po ndërtohet. Nëse dhe ajo (larg qoftë) nuk mundet ta bëjë, atëherë na ngeli vetëm t’i kthejmë sytë nga Perëndia.
Miqtë e mij Dëshmor, sot Policia Shqiptare nuk është në ditët e saj të mira, madje është e mbingarkuar me detyra, e akuzuar dhe anatemuar. Siç thoshte i madhi Albert Kamy :“Policia është në qendër dhe në kryqëzim të të gjitha problemeve ekzistenciale të njeriut modern”, dhe sot shoqëria shqiptare ka shumë inflacion me probleme ekzistenciale.
Ju e dini që unë personalisht jam natyrë kontestuese, por sot pa dashur të bëj avokatin mbrojtës të saj, nuk mund të ri pa shprehur mendimin tim se: Me gjithë kusuret e problemet që mund të ketë Policia e Shtetit, përsëri punonjësit e saj janë nga më atdhetarët dhe më të devotshmit e shoqërisë shqiptare.
Kjo nuk përjashton faktin se individë të veçantë që shkelin ligjin dhe të inkriminuar mund të ketë, por ju siguroj se ata nuk kanë asnjë lidhje shpirtërore e profesionale me policinë, përkundrazi për mendimin tim (dhe jo vetëm) ata me anë të lidhjeve dhe kontributeve të dyshimta “extra policore” i janë imponuar policisë dhe e kanë shfrytëzuar atë. “Hienat e ndjejnë shpejt erën e viktimës”.
Në këto vite postdiktaturë Policia shqiptare është ndeshur me shumë të përpjeta e tatëpjeta dhe gjithmonë më ka ngelur pa përgjigje pyetja “Pse nuk i ka interesuar politikës shqiptare krijimi i një institucioni të fortë policie?” Do ta përdorë, apo ka frikë nga inkriminimi i vet? Apo të dyja bashkë? Siç duket, raporti Frojdian i urrejtjes midis zbatuesit të ligjit dhe antiligjit ka qenë mbisundues. E them këtë për këto arsye:
Mungesa e një konsensusi politik për të krijuar një Polici Shteti të qëndrueshme, të aftë profesionalisht dhe të depolitizuar. Vetëm dy ligjet e fundit “Për Policinë e Shteti”, (2007 dhe 2014) janë ndryshuar 7 herë, 3 herë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese dhe votuar vetëm nga mazhorancat e radhës.
Se desh harruam edhe ligjin e Vetingut në polici, i ndryshuar 3-4 here dhe i pezulluar aktualisht. Zvarritje dhe presion i stërzgjatur dhe pakuptim.
Kësaj i shtohen edhe qasjet historike krejt të kundërta pozitë-opozitë për punën, rezultatet dhe profesionalizmin e policisë. Opozita e radhës e vendos Policinë e Shtetit në epiqendër të akuzave, sikur të ishte e keqja më e madhe e këtij vendi, kurse pozita e mbron me një retorikë bombastike, sikur Shqipëria është “ndër shtetet me treguesit më të mirë në luftën kundër kriminaliteti, jo vetëm në rajon, por më gjerë“.
Policia vazhdon të ngelet i vetmi profesion, që i është penguar artificialisht të krijojë elitën e saj. Në këtë “shtatore migjeniane” politikën e ndihmoj e kudondodhura në antiligj, gjykata, me vendimet e saj për dhënie grada policore, e cila me shumë vonesë u shfuqizua para disa ditësh nga Gjykata e Lartë.
Gjatë 30 viteve të fundit ka ndodhur jo rrallë që njerëz pa asnjë lloj kontributi janë bërë drejtues dhe e kundërta. Kanë ndodhur kërcime të tilla në karrierë (për merita jo policore), që do t’i kishte zili edhe rekordmeni i botës në kërcim me shkop Sergej Bubka.
Reformimi dhe ristrukturimi “non stop” i Policisë, madje edhe nga 2-3 në vit (korr e moslidh). Sipas meje në pjesën më të madhe te këto reforma janë konstatuar probleme të mëdha etike, metodike dhe teorike, si dhe janë karakterizuar nga nepotizmi, klientelizmi, krahinalizmi dhe antiligji.
Ndaj mendoj se ka ardhur koha të heqim dorë nga ora “0” dhe të fillojmë të numërojmë në mënyrë demokratike. Pra, nëse paraardhësi e ka lënë te dyshi, pasardhësi duhet të fillojë të numërojë te treshi dhe jo më te njëshi. Duke ju përmbajtur sindromës ”kopsës së parë mbërthyer keq”, reforma e re, ka lindur një reformë të dytë dhe kjo e fundit ka pjellë një reformë të re, e kështu pambarim… “Selanik e tatëpjetë, siç ka qenë, do të jetë”.
Këtij reformimi nuk i kanë shpëtuar as uniformat dhe simbolet, të cilat janë ndryshuar 6 herë, në këto 30 vite. Ndjesë se desh harrova, t’jua them miqtë e mij Dëshmor!!!Prapë dyshohet për skandal me tenderin e uniformave tona.
Miqtë e mi, që na shikoni nga Parajsa, mendoj që edhe në emër Tuaj mund dhe duhet të bëjmë disa apele:
Së pari, t’u kërkojmë kolegëve tanë, punonjësve të policisë (në detyrë dhe lirim) të duam, respektojmë më shumë njeri – tjetrin. Çdo organizatë në botë, sidomos ato policore kanë si parim bazë të ekzistencës tyre, vlerësimin dhe respektin ndaj anëtarëve të vet.
Së dyti, drejtueseve të Ministrisë Brendshëm që paguhen nga taksapaguesi për “hartimin dhe mbikëqyrjen e zbatimit të politikave të veprimtarisë së Policisë së Shtetit, me qëllim garantimin e rendit e të sigurisë publike”, si dhe “përcaktimin e drejtimeve strategjikë dhe objektivat e Policisë së Shtetit”; të heqin dorë nga tenderët e policisë dhe arkat e peshkut.
Së fundi, t’i kërkojmë mikut tim të vjetër Ministrit Çuçi, të udhëheq kryerjen e një reforme të studiuar,debatuar, të qëndrueshme, afatgjatë dhe me standarde, për një Polici Shteti dhe jo Polici Pushteti, pasi policia është pasqyrë e shtetit.
Shkrimtari i madh Viktor Hugo, ka thënë: “Të jesh i mirë është e lehtë, vështirë është të jesh i drejtë…”, ndaj Zoti Ministër përujnjësisht Ju lutem: të jeni avokat mbrojtës i Policisë së Shtetit dhe jo prokuror i saj, pasi me prokuror kundër policisë është e tejmbushur shoqëria. Madje edhe nëna kur nuk është e zonja të ushqej fëmijën e kërcënon, duke i thënë: “Ha, se i thashë xhaxhi policit”.