Dy ditë pas fitores së zgjedhjeve për Bashkinë e Himarës, kryetari i ri Vangjel Tavo është takuar me Kryeministrin Edi Rama.
Ky i fundit ka ndarë një foto së bashku me Tavon në rrjetin social Facebook, ku sikurse shprehet, kanë nisur nga puna për projektet e reja të këtij mandati dhe plani strategjik për Himarën e 2030-ës.
“Me Vangjelin, kryebashkiakun e Himarës, për punët në vazhdim, projektet e reja të këtij mandati dhe planin strategjik #Himara2030”, shkruan Rama.
Zgjedhjet për kryetarin e ri të Bashkisë së Himarës u mbajtën më 4 gusht. Kandidati nga ana e socialistëve Vangjel Tavo arriti të siguronte 1.500 vota më shumë se kundërshtari Petraq Gjikuria.
Numërimi i votave përfundoi mëngjesin e 5 gushtit në të 36 qendrat e votimit, të cilat dolën me rezultatin 5.022 vota (58.62%) për Tavon kundrejt 3.545 (41.38%) votave që shkuan për kandidatin opozitar Petraq Gjikuria.