Fatura për blerje energjie ka pësuar rritje të ndjeshme gjatë javëve të fundit, pasi Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka zhvilluar disa tenderë për sigurimin e saj.
Në më pak se 3 javë janë shpenzuar gati 19 mln euro. Ndërsa që prej muajit qershor kur nisën importet e para, fatura përllogaritet në rreth 32 mln euro.
Sipas ekspertëve nevoja për importin e energjisë vjen si pasojë e rritjes së konsumit gjatë muajve të verës, por edhe mungesës së reshjeve të shiut që po ndikon në prodhimin vendas të energjisë.
Paralelisht, edhe çmimet me të cilat është blerë energjia pas javës së parë të korrikut kanë patur tendencë në rritje. Çmimi mesatar me të cilin është siguruar sasia e nevojshme gjatë këtij viti është rreth 120 euro/ mWh.
Sipas të dhënave të publikuara nga KESH prodhimi në Kaskadën e lumit Drin arriti të plotësonte nevojat konsumatore deri në mesin e muajit qershor, kur nisën importet e para. Në gjysmën e parë të vitit situata hidrike favorizoi aktivitetin tregtar të KESH, që zhvilloi 2 tenderë për shitje energjie si dhe një sërë procedurash optimizimi. Në total, së bashku me një procedure optimizimi të realizuar gjatë muajit korrik, KESH ka gjeneruar gjatë këtij viti rreth 6.3 mln euro të ardhura nga aktiviteti tregtar./TV SCAN