I dyshuari I.A. i cili qëlloi me armë zjarri bashkëshorten e tij mëngjesin e së martës në Bresje të Fushë Kosovës vetëm pak ditë më parë ishte arrestuar për dhunë në familje por që ishte liruar nga gjykata.
Prokuroria Themelore në Prishtinë konfirmoi se pasditen e së premtes së 2 gushtit autori është ndaluar dhe ndaj tij fillimisht është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit.
Në seancën fillestarë që është mbajtur më 4 gusht në Gjykatën Themelore në Prishtinë – dega në Fushë Kosovë, Prokurori i Shtetit, duke marrë parasysh gjendjen shëndetësore të tij si dhe faktin se i pandehuri ka edhe një adresë tjetër banimi, ka propozuar masën e arrestit në shtëpi.
“Gjykata ka refuzuar propozimin e Prokurorit të Shtetit për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, ashtu që ndaj të pandehurit I.A, është caktuar masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar”, njoftoi prokuroria që fajësoi gjykatën për lirimin e tij.
I dyshuari I.A. pas plagosjes së bashkëshortes akuzohet për “Vrasje e rëndë në tentativë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Mospërfillja e gjykatës”.
/a.r