Në rrjetet sociale mund të keni parë një mori trukesh për të humbur peshë. Ndër më të fundit është një pije e bërë në shtëpi e quajtur “orizempic” që përgatitet duke lënë në ujë orizin e pazier, më pas kullohet dhe konsumohet uji i mbetur duke i shtuar pak limon.
Mendohet se ky ujë mund të të bëjë të humbasësh peshë duke krijuar ndjesinë e ngopjes, në mënyrë të ngjashme me medikamentin e njohur Ozempic ndaj ka marrë dhe emrin.
Por sipas studimeve, kjo pije nuk ka efektin magjik.
Sipas TikTok-ut, përzierja duhet pirë një herë në ditë, esëll. Ideja është që sa më gjatë ta konsumosh orizempic-un, aq më shumë peshë humb. Madje disa kanë thënë se mund të humbasësh 27 kilogramë në dy muaj.
Sipas përkrahësve të saj, humbja e peshës ndodh për shkak të niseshtesë rezistente të orizit. Kjo është një fibër dietike (gjithashtu klasifikohet edhe si probiotik). Nuk ka asnjë provë bindëse se krijon ndjesinë e ngopjes për më gjatë, por ka disa efekte pozitive në shëndet.
Sipas studimeve, konsumimi i niseshtesë rezistente mund të rregullojë sheqerin në gjak, të ndihmojë humbjen në peshë dhe të përmirësojë shëndetin e zorrëve. Kërkimet kanë treguar se mund të reduktojë rrezikun e obezitetit, diabetit, sëmundjeve të zemrës dhe sëmundjeve të tjera kronike.
Niseshteja rezistente gjendet në shumë ushqime. Këtu përfshihen fasulet, thjerrëzat, drithërat (sidomos tëshëra, bullguri, orizi kaf), bananet (ende të papjekura ose të gjelbra), patatet, arrat dhe farat (chia, lini dhe bajame).
Nëse i referohemi trendit, gjysmë gote oriz përmban 0.6 gramë niseshte rezistente. Për efekte optimale, rekomandohen 15-20 gramë. Me gjasë, në ujin e orizit ka më pak se 0.6 gramë sepse nuk konsumohet i gjithë produkti.
Edhe pse shumë njerëz e rekomandojnë, nuk ka prova që tregojnë se “orizempic” është zgjidhja për humbjen në peshë. Ndonëse pija mund të jetë hidratuese për shkak të ujit dhe ka përmbajtje niseshteje, konsumimi i ushqimeve që e përmbajnë përbërësin në formë të plotë, ka më shumë përfitime shëndetësore.
/a.r