Nga Edmond Arizaj
Unë nuk di si ta quaj këtë burrë (foto më poshtë); lypës? Ai nuk lyp kurrë, megjithatë pranon gjithçka. Dhe, çudia e çudirave, në ndryshim nga të gjithë, ai kurrë, kurrë nuk e sheh sasinë e parave që i lëshon në dorë.
Mbi 15 vjet që “e njoh”. Që kur mbante flokë dhe mjekër të gjatë jo shumë tërheqëse për syrin. Mos më pyesni për emrin sepse nuk ua them. Ndoshta të afërmit e tij nuk duan, sepse ai më tha që ka dhe një vëlla që i punon…diku në vendlindjen e tij, një qytet liqenor. Babai kishte qenë me pozitë, madje edhe xhaxhai. E përsëriste kaq shpesh këtë gjë…
Mirë, le të mos bëjmë dramatizime, nuk m’u duk se ishte plotësisht në terezi, mund ta përdor këtë fjalë besoj pa e fyer. Në pothuaj 30 minuta që e pyesja, kishte një si fiksim me forcat e rendit, me ndërhyrjen e shpejtë, ndoshta ka punuar dikur. Madje me ata në mendjen e tij ishte i lidhur kaq fort, sa më tha që marr ushqimin tek reparti RENEA (krejt si një efektiv normal), apo fle tek Garda. Sigurisht ia nxora me çengela, që flinte jashtë godinës dhe njerëzit zemërmirë të këtyre reparteve nuk e linin të vuante urie. Fliste me të qeshur kur tregonte se ku hante dhe flinte sipas mendjes së tij, dhe krejt i vrarë fytyrë e shpirt kur duhet të pranonte se në fakt flinte diku jashtë.
Kam dashur përherë ta di historinë e këtij njeriu. Edhe pse sipas disa njerëzve, atij “diçka” i kishte ndodhur, diku, pasi ka punuar në Gardë. Me fjalët e tij, kishte qenë badigard i udhëheqësve komunistë duke nisur që nga 1982, por teksa me shumë durim i bëja llogaritë se nëse ka lindur në 1968, nuk mund të ketë filluar punë në 1982, përgjigjej thjesht, po mirë më vonë. Përsëriste shpeshherë një udhëtim dhe qëndrim në Greqi, edhe këtu mbante po të njëjtin qëndrim refraktar: forcat speciale…
E dini se kush ishte ëndërra e tij? Po ja përsërita pyetjen shumë herë, në mënyra të ndryshme dhe sa më thjeshtë, derisa më tha se donte të bëhej sërish i madh, shef…Po për një shtëpi mbi kokë? Ushqim? As që bëhej fjalë. Vetëm shef…Dhe rifillonte nga e para tregonte përgjegjësitë e të parëve të tij…
A e dini sa kishte që nuk ulej në një lokal, dhe të bisedonte me një njeri? Ai tha mbi 20 vjet, po unë mund t’i besoja vetëm pjesën e parë, jo për shkak të pamundësisë së tij, por për shkak të sjelljes harbute të kamarierëve dhe pronarëve ndaj kësaj kategorie, por nuk besoja dot pjesën e dytë, sepse ai çdo ditë që kalon përpara lokalit ku unë rri së bashku me shokët e mi, tregon lajmet e ditës, ngjarjet që kanë ndodhur, apo që priten të ndodhin…madje jep edhe parashikime.
Nuk është agresiv. Aspak. Është miqësor. Më tregon ashtu si me “përdhunë” vendet ku fle, ushqimin që ha, si i përdor paratë që i falin, madje ka dhe një realitet të çuditshëm në mendjen e tij që e lidh me ambasadën amerikane, me NATO, me OSBE, me forcat RENEA dhe më tregon gjithë krenari edhe “dokumentat”, dy kartvizita, një stilolaps, dhe një bexhë të vjetër me disa të shkruara mbi të, disa emra të njohur e të panjohur për mua. Mendja bën numra nga më të ndryshmet, megjithatë ai ishte i bindur dhe pas disa përpjekjesh, nuk desha më ta nxirrja nga ai realitet. Madje në një krizë akute skepticismi, pata ndjesinë se mos po tallej…
Si ishte dita e tij? E pyeta tre herë në tre momente të ndryshme dhe të treja herët m’u përgjigj po njësoj për itinerarin që bënte! Po ndonjë shoqe? S’bëhej fjalë, dikur në Greqi mbase. Po shoqëri, qoftë edhe nga “rangu” i vet? “Vetëm ty dhe atë aty kam shok” dhe më tregoi “dikë”…
Pse s’punon? Përgjigja: Po jam me forcat speciale.
I bëra dhe pyetjen më normale: A kishte marrë ndonjëherë ushqim në ambientet që përdorte bashkia? Përgjigjia: Po ç’punë kemi ne bashkinë, ne jemi me forcat e policisë…
Pyetje që merrnin të tilla përgjigje, sikur koha kishte ndalur në mendjen e këtij njeriu, ishin disa. Më kujtuan filmin shqiptar “Rrethi i kujtesës”…ndoshta jam edhe jashtë orbite fare, por fjalët e dikujt që e njihte, se diçka i ka ndodhur, nuk më linin rehat. E pyesja për sëmundje, për gjilpëra, për trajtim të veçantë në Greqi apo kudo dhe më thoshte: Nuk jam sëmurur kurrë, a më ke parë ndonjëherë sëmurë?-më pyet si fajtor. Në fakt, përmbi 15 vjet, me përjashtim të ditëve që kam qenë vetë i sëmurë, ai nuk ka munguar ndonjëherë në vendet që duket zakonisht, e as e kam parë ndonjëherë me fytyrë të sëmurë…
E mbylla takimin me të. Por jo kurreshtjen. Nuk është thjesht “i metë” si do ta mbyllnin shkurt plot të tjerë. Ai e ka pasur një jetë. Kush dhe pse ia shkatërroi jetën? Nëse, siç uroj, nuk ka një kush dhe pse, ka me siguri një si, si iu shkatërrua jeta këtij njeriu? Të paktën të dinim këtë, sepse për t’ia ndrequr sadopak, nuk bëhet fjalë, deri më sot nuk duket se është bërë gjë, përveç dhembshurisë dhe zemërgjerësisë së njerëzve.