Nga Dritan Hila
Zanafilla e “Çështjes Himara” është në drekën që hëngri dikur Rama në shtëpinë e Micotaqisit dhe i premtoi ndarjen e detit në gjykatë ndërkombëtare, ku me siguri nuk kishte bërë llogaritë dhe harruar se bashkë me drekën Micotaqisi po i ofronte edhe kupën e helmit.
Ndarja e detit në gjykatën ndërkombëtare, për një sërë faktorësh do ishte me humbje për Shqipërinë. Falë këshillës së miqve ndërkombëtarë, Rama u tërhoq, duke i shpëtuar një debacleje të pallogaritshme afatgjatë në politikën e brendshme dhe të jashtme.
Micotaqisi, nuk u zbut as nga busti i babait në Derviçian dhe as e mirëkuptoi, pavarësisht nga mesazhet paqetuese të Ramës. Grekët nuk kanë miq, por interesa dhe politika e tyre e jashtme nuk është voluntariste dhe personale, por me plane strategjike. Dhe nuk vonoi të hakmerret me kandidimin e Fredi Belerit në Himarë. Këtë nuk e pati të vështirë ta realizojë pasi bukëshkalë e mercenarë është e kollajtë të gjesh në Shqipëri. Opozita shqiptare e gjendur përballë murit të drejtësisë dhe zhvlerësimit që i ka sjellë koha, i shitet ofruesit më të parë dhe kapi edhe një kamerdare të shfryrë si Beleri, mjaft që të qëndronte mbi ujë dhe ishte faktor. Jemi vendi ku për inat të vjehrrës, flemë me mullixhinë.
Ka një proverb që thotë se kur qeth macet, ke shumë zhurmë dhe pak lesh. E tillë ishte edhe historia me Belerin të cilës Rama nuk ia kuptoi pasojën kur nuk i kushtoi vëmendje zonës së Himarës përpara një viti.
I shpërqendruar në fushatën në rang republike; viktimë e karakterit të tij reaktiv; i pavëmendshëm për klimën lokale sociale dhe ekonomike të krahinës; me besim se Goro do të dinte t’i jepte drejtim një bashkie të vogël, me vetëbesimin se zona të thella të Labërisë nuk do votonin për një person problematik, Himara i kushtoi një kauzë që ka një vit që po i merr energji jo vetëm shtetit shqiptar.
Rezultati i djeshëm mbylli një kalvar dhe fitorja e Tavos nuk duhet të habisë. Kjo jo vetëm për faktin që Rama mobilizoi dhe grasatoi gjithë makinerinë e tij elektorale; vetëdijesimin e banorëve të zonës; caktimin e një politikani race të rangut kombëtar si Vangjel Tavo, por edhe me premtimin se do zgjidheshin problematikat, probleme të cilat mund t’i zgjidhë vetëm një kryebashkiak që i hapen dyert në Tiranë.
Ky është edhe momenti që duhet reflektuar. Greqia nuk e ka aspak një problem artificial Himarën dhe as një objektiv të sajuar. Duke qenë se nuk ia merr dot rusopondët Rusisë dhe Ukrainës e as Izmirin, Turqisë, Himara është e vetmja kauzë që të mbajë të karikuar nacionalistët e ekstremit të djathtë grek. Përplasjet me Shqipërinë janë një mekanizëm i kolauduar që nuk ka ndërmend ta hedhë poshtë. Jo më kot ka vite që paguhen nga shteti grek pensionet e famshme edhe në fshatra të pastra shqiptare si Çorraj, Kudhës, Fterë e deri në Tërbaç. E ndaj, shtetit shqiptar i ka ardhur koha që të mbyllë problematikat aty. Himarjotët (gjithë bashkia që nënkupton ky term) janë shqiptarë, por ai qark është edhe i vetmi që ka marrë investime vetëm së fundmi. Rrugët janë fillimi, por duhen projekte për zhvillimin e agroturizmit. Çështja e pajisjes me certifikatë pronësie është urgjente për gjithë Shqipërinë, por veçanërisht në Himarë ku ka pasur abuzime kolosale nga drejtuesit paraardhës, sidomos ata të OMONIA-s. Nuk duhen lënë pas dore nga SPAK-u as këto çështje.