Kryebashkiaku në detyrë Arqile Bollano tregon se si në Himarë fshat persona me karta identifikimi të skaduar kanë tentuar të votojnë në qendrën përkatëse të votimit teksa sot mbahen zgjedhjet për kryetarin e ri midis kandidatit të PS-së Vangjel Tavo dhe atij të PD-së, Petro Gjikuria.
Në një prononcim për mediat, Bollano theksoi se procesi i votimit në qendrën përkatëse është pezulluar ndërsa shtoi se votimi do të vijojë kur të zgjidhet ngërrci i krijuar.
“Mesa vumë re, këtu janë shumë persona që janë me karta të skaduara dhe insistojnë të votojnë me kartë, në një moment që ligji nuk e lejon. Nga kjo çështje është krijuar konfuzion ku kemi lajmëruar KQZ-në për të zgjidhur këtë ngërç.
Për momentin është pezulluar votimi dhe presim zgjidhjen në vijim. Ligji e thotë qartë se me karta të skaduara nuk lejohet asnjë person, s’ka rëndësi se të kujt janë. Edhe pasaporta duhet të mos ketë skaduar si afat dhe të jetë e rregullt. Procesi është pezulluar derisa të zgjidhet çështja, dhe më pas të vijojë votimi normalisht”, u shpreh Bollano.
Në Himarë 23 mijë qytetarë i drejtohen përgjatë ditës së sotme në 36 qendra votimi ku do të aplikohet identifikimi dhe votimi elektronik.
Në zgjedhjet për kreun e ri të Bashkisë po aplikohet vetëm identifikimi elektronik dhe qendrat e votimit do të jenë të monitoruara me kamera.
Pas mbylljes së votimit pritet të nisë edhe numërimi i votave ku do të mësohet se kush do të jetë kreu i ri i Bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo apo Petro Gjikuria.
/a.r