Fluksi i lartë i turistëve shoqëruar me një ecuri në rritje e ekonomisë por dhe një euro e dobët, kanë shtuar edhe më tej konsumin e mallrave të akcizës duke favorizuar të ardhurat e doganave në 7 muajtë e parë të vitit.
Cigare, kafe, pije alkoolike e karburante. Shqiptarët nga viti në vit po bëhen më të varur ndaj këtyre produkteve, zhdoganimi i të cilave në muajin korrik arrit në 21.3 miliardë lekë.
“Vazhdimi i periudhës inflacioniste, kjo ndikon në vlerësimin e produkteve që importohen por dhe taksën. Ne kemi rritje në sasi të mallrave të akcizës dhe kjo i dedikohet ekonomisë që po rikap ritmin që humbi gjatë pandemisë. Konsumi i produkteve më shumë ndikohet edhe nga zhvlerësimi i euros. Çmimi i produkteve që vijnë nga jashtë janë më të lira dhe kanë shtuar sasinë”, tha Pano Soko.
Teksa të ardhurat nga akciza japin kontributin më të lartë për doganat, karburantet vijojnë të mbajnë peshën kryesore. 67 mijë tonë hynë në tregun shqiptarë vetëm në korrik, periudhë e cila përkon edhe me lëvizjet e shumta të qytetarëve për pushimet verore. Ndërsa i lartë ka qenë edhe konsumi i birrës i ndikuar kryesisht nga kampionati europian. Në rritje nuk ka munguar as importi i kafes apo dhe cigareve.
“Baza e energjisë siç janë karburantet dhe energjia elektrike reflektojnë gjendjen e ekonomisë dhe trendin e ecurisë së ekonomisë”, shton Soko.
Drejtoria e Përgjithshme e doganave arkëtoi në 7 muajt e parë të vitit në buxhetin e shtetit në total 131.3 miliardë lekë.