Departamenti i Administratës Publike ka vendosur ta bëjë më të prekshme mundësinë e punësimit në Shërbimin Civil për të sapodiplomuarit apo studentët e viteve të fundit të masterit. Një panair pune, i një lloiji të veçantë është çelur sot në Fakultetin e Shkencave Sociale në Tiranë nga DAP dhe projekti i binjakëzimit të BE.
Në mjediset e këtij fakulteti është prezantuar lista e vendeve të lira të punës në administratën publike, për të cilat nuk kërkohet të kesh eksperiencë pune, çka do të thotë se janë të mundshme për t’u arritur nga studentët e sapodiplomuar.
Në katër stenda të veçanta përfaqësuesit e Ministrive të Arsimit, Financës, Mirëqënies Sociale dhe Rinisë dhe Integrimit kanë shpjeguar për të gjithë të rinjtë e interesuar profilin e vendeve të lira të punës në këto institucione, kriteret që ata duhet të përmbushin dhe mënyrën se si mund të aplikojnë përmes portalit të ri online të DAP.
Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito dhe Shefi i Operacioneve të Delegacionit të Komisionit Europian në Shqipëri, Yngve Engstrom kanë vizituar panairin dhe më pas kanë marrë pjesë në një konferencë të zhvilluar me këtë rast.
“Vitin e kaluar ne shpallëm 1006 vende të lira në Shërbimin Civil dhe vetëm 65% prej tyre tyre u arrit të plotësoheshin. 35% e vendeve të shpallura, mbetën sërish vakante. Kjo është një provë se konkurset janë të lira dhe krejtësisht transparente. Nëse do të kishte emërime politike apo të privilegjuara nuk do të kishte asnjë vend bosh në Shërbimin Civil”, ka thënë ministrja Harito në fjalën e saj.
Sipas ministres së Inovacionit dhe Administratës Publike edhe gjatë vitit 2016 numri i vendeve të lira në shërbimin Civil është mbi 1000 dhe rruga është e hapur për të gjithë ata që do të tregojnë aftësi dhe përgatitjen e duhur në konkurset që do të organizohen nga DAP.
Gjatë konferencës kanë folur edhe ekspertë të DAP dhe ministrive të tjera, të cilët u janë përgjigjur edhe pyetjeve të të rinjve lidhur me mënyrën e aplikimit dhe përgatitjen që duhet të kenë për të mundur të fitojnë të drejtën e punësimit në Shërbimin Civil.