Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës tha se pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, këtë të shtunë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës-Drejtorinë e Krimeve të Luftës, si dhe në koordinim me institucionet e sigurisë e gjykatën kompetente, ka udhëhequr një aksion, i cili ka rezultuar me arrestimin e ndalimin e pesë (5) personave të dyshuar për veprën penale “Krime Lufte”, nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së.
Në kuadër të këtij aksioni, me urdhër të Prokurorit Special, janë ndaluar personat me inicialet: D.C., D.N., N.S., S.J., M.Sh., me dyshimin e arsyeshëm në bashkëpunim edhe me pjesëtarë tjerë të paidentifikuar të këtij grupi, të armatosur dhe të veshur me uniforma të kamufluara dhe uniforma jo të rregullta të policisë apo ushtrisë serbe, më 05.04.1999, në orët e para të mëngjesit, kishin ndërmarrë një aksion në fshatrat Inatoc (Kokaj), Llovcë, Pogragjë dhe Uglar, ku me qëllim dhe dashje kishin vrarë, plagosur, djegur për së gjalli viktimat civile shqiptare, marrë peng, dhunuar, rrahur, torturuar fizikisht dhe psiqikisht, plaçkitur, shkatërruar pronat e shqiptarëve dhe djegien e tyre, dëbuar popullatën civile shqiptare, shkatërruar dhe abuzuar objektet kulturore dhe fetare, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë.
/a.r