Skandali i Panamasë, që zbuloi paratë e fshehura të elitës botërore, përfshin në listën e saj edhe një shqiptar, të lidhur ngushtë me qeverinë Berisha. Ai është Ismail Mulleti, një biznesmen dhe ndërtues në vitet ’90, dhe ish-aksioner i një prej hoteleve më të rëndësishme në Tiranë “Hotel Tirana”.
Por këto biznese janë thërrime përballë kompanisë GFI Techologies, ku ai është bashkëpronar. GFI Albania, nëpërmjet një kontrate 10- vjeçare që kushton 150 milionë euro, duhej të ngjyroste naftën në përputhje me qëllimin e përdorimit, me synim eliminimin e abuzimit me cilësinë e destinacionit dhe në fund shmangien e taksave.
Pikërisht me këtë qëllim asaj iu dha koncesioni në javët e fundit të qeverisë Berisha. Botuesi i gazetës TemA, Mero Baze, i informuar rreth kësaj çështje shkruan: “Ismail Mulleti është mbulesa e Genc Pollos në çdo biznes që nga viti 1996 dhe konçesioni i ngjyrosjes është njeriu që mbulon Shkëlzen Berishën. Lekët i paskan çuar deri në Panama po këta nuk duhen çuar aq larg. S’është keq Burgu Bënçës”.
Ky koncesion ka ngjallur shumë debate në vend. Që nga mënyra si u dha nga qeveria Berisha, që nga pikëpyetjet se kush fshihej pas tij e deri tek marrëdhëniet e dyshimta që ai krijoi me qeverinë e re, që në fillim tha se do ta anulonte.
Në fakt, kompania GFI Technologies u regjistrua në maj të vitit 2013 në Anguilla për të investuar në Shqipëri. Ismail Mulleti bashkëpronar në të ka përdorur një skemë të pastër riciklimi parash dhe mënyre për të shmangur taksat.