Familja ime shqiptare
Marshallah! Shumë bukur…
Data e përfundimit të Shërbimit tim është vendosur, dhe sapo bleva biletën e avionit për tu kthyer në SHBA. Dita ime e fundit në Shqipëri do të jetë 18 Maj, 2016. Ishte e çuditshme në fakt kur klikova butonin e blerjes dhe konfirmova biletën. Sikur po mos ta kisha blerë biletën do të thoshte se do të qëndroja këtu për një kohë të pacaktuar! E kam menduar edhe këtë. Madje e preva biletën në datën e fundit të mundshme … Ka ndonjë kuptim kjo?
Do të kaloj disa ditë në Stamboll, Turqi para se të nisem për në San Francisko, dhe pastaj … epo, ja lëmë kohës. Nuk është e nevojshme të them se kam disa plane paraprake dhe perspektiva tepër emocionuese. Mendova se mund të më duheshin disa ditë për të reflektuar mbi këtë përvojë të jashtëzakonshme që kam pasur këtu. Mundësia e largimit tim nuk më duket ende e vërtetë.
Kam jetuar në Shqipëri për më shumë se dy vjet. Ndjehem relativisht i sigurtë kur flas me njerëzit në gjuhën shqipe. E kalova bezdinë që kisha për kafen e improvizuar me njerëz të huaj dhe më pëlqen shumë vallja në rreth. Po, Shqipëria më ka hyrë në zemër dhe do të më mungojë kjo jetë; natyra piktoreske, byreku dhe pilafi, si dhe të flas shqip me njerëzit kudo që shkoj. Me siguri do të më mungojnë miqtë e mi të mirë Steve dhe Megi, miqtë e mi në Tiranë (ju e dini kush jeni!) dhe kolegët e mi në Peace Corps. Por ka edhe disa gjëra të tjera që do të më mungojnë në veçanti:
1. Jeta në Librazhd (vendi ku kam kryer shërbimin) – Djemtë që thërrasin ‘çkemi’ në variacione të panumërta zhargoni, dialekti, dhe anglisht ndërsa ecin nëpër rrugën kryesore të qytetit. Po, do të më mungojë jeta ime si një “katunar”. Duke ecur rrugës bashkë me gomerët, thirrjen për lutje nga Xhamia, këngën e zgjimit të gjelit, dhe urimet e gjysheve për mua ‘Marshallah’ kur kthehesha nga palestra. Ah Librazhdi!
Si një banor qyteti për shumicën e jetës sime, kjo ka qenë diçka e re për mua – njerëz që me të vërtetë vërenin se ku shkoja, që më pyesnin se si më kishte ecur dita, që më ftonin për kafe dhe bisedonin me mua çdo ditë. Duket pak e çuditshme në fillim, por unë fillova të ndjehem më i lidhur me ta prej këtyre veprimeve. Tani, e di që do të më mungojë kjo gjë. Sidomos miqtë e mi të ngushtë shqiptarë dhe familja ime mikpritëse.
2. Zhvillimi i Skenës artistike Shqiptare – Edhe pse artistikja nuk është ndonjë gjë e re në Shqipëri, shumë të huaj nuk njihen me tërësinë e shprehjes artistike këtu. Në fund të fundit, arti mund të jetë shumë kontroversial. Në këto ditë post-komuniste, ju mund të zbuloni muzikantë, valltarë, piktorë, skulptorë, shkrimtarë, artistë performues, arkitektë, dhe madje edhe ata me aftësi të njohura për mozaikët pikërisht këtu në Shqipëri. Vetëm duhet të dini ku të kërkoni.
3. Komuniteti i aktivistëve të Shqipërisë – kam takuar disa aktivistë të mrekullueshëm e të guximshëm gjatë shërbimit tim këtu. Në një periudhë kaq të shkurtër kohore, ata kanë ndihmuar të transformohet peizazhi i shoqërisë LGBT në Shqipëri. Madje pata edhe mundësinë për t’u bërë partner me disa prej tyre për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet LGBT dhe të drejtat e njeriut në të gjithë vendin nëpërmjet një granti. Gjithashtu do të më marrë malli për disa aleatë të mrekullueshëm që, pavarësisht ndërlikimeve të mundshme, janë të gatshëm të vendosin drejtësinë dhe barazinë mbi rehatinë personale.
4. Miqtë e mi të Peace Corps – Kam takuar disa miq të mrekullueshëm midis vullnetarëve të Korpusit të Paqes dhe me siguri do të qëndroj në kontakt me shumë prej tyre në vitet që do të vijnë. Ne udhëtojmë së bashku, i telefonojmë njëri-tjetrit në kohë gëzimi dhe trishtimi, punojmë në projekte fantastike së bashku, e mbështesim njëri-tjetrin gjatë sëmundjeve, lëndimeve dhe ngjarjeve të tjera të papritura … dhe natyrisht, tregojme aventura të tilla sa herë që takohemi.
5. Vizitat në zonat e fshatrave rurale – Përmes projektit të kancerit të gjirit në terren, unë kam pasur mundësinë që të konsideroj fshatrat e largëta rurale të Shqipërisë lindore si “zyra” ime. Të shkoja të punoja me gratë në zonat e izoluara për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet e shëndetit ka qenë me të vërtetë një gëzim. Duke punuar me homologun tim në drejtorinë e shëndetit publik, krijuam shumë lidhje në të gjithë rajonin, duke bashkuar profesionistë të shëndetit për herë të parë. Kjo padyshim do të më mungojë!
6. Kampi Pa Emer kamp veror
Asnjë listë ‘më e mira nga Shqipëria” nuk do të ishte e plotë pa përmendur Camp No Name! Ka qenë me të vërtetë një nder dhe privilegj që isha pjesë e këtij kampi vjetor veror në Librazhd që ofron shumë më shumë se një jave argëtim dhe lojëra. Ka të bëjë me përfshirjen, mirëkuptimin, dashurinë dhe miqësinë. Ka të bëjë edhe me jetesën e shëndetshme plotë me mundësi dhe arritjen e gjërave të mëdha përmes bashkëpunimit. Me numrat në rritje, ky kamp ka mbjellë fara në jetë të panumërta romësh dhe jo-romësh të rinisë shqiptare në Librazhd, rezultatet e të cilit janë tashmë të dukshme në bashkëjetesën e këtyre fëmijëve (të cilët tani janë vajza dhe djem të rinj!). Kjo ishte gjithashtu edhe hera e parë që pata rastin të jem një këshilltar kampi pasi kam shkuar çdo vit në kamp veror kur isha fëmijë. Ishte një përvojë e mrekullueshme të punoja me shqiptarë dhe miq të tjerë nga Peace Corps dhe do të më mungojë shumë. Mezi po pres të takoj vizionarët Alba dhe Joey (themeluesit e kësaj nisme), kur të kthehem në SHBA! /A.A./historia-ime.com