Në bazë të referimit të një shtetasi në polici, Prokuroria e Përgjithshme po heton deputetin demokrat Strazimiri edhe për akuzën e prodhimit dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake. Bëhet fjalë për pistoletën e që deputeti mbante në protestën e një jave më parë në Parkun e Liqenit.
Dy ditë më vonë, në polici, një shtetas me inicialet P.N ishte paraqitur përpara uniformave blu, duke pretenduar se, si ish përfaqësues i një firme të prodhimit të armëve në Gjermani, ai i kishte dhuruar disa vite më parë një sasi armësh Ministrisë së Brendshme, përshfi edhe Genti Strazimirit.
Ky element ishte i rëndësishëm, pasi deputeti kishte dorëzuar pistoletën në polici, por bëhej fjalë për një tjetër pistoletë, e ndryshme nga ajo që pretendote shtetasi shqiptar, i cili thoshte se pistoleta që Strazimiri mbante tek protesta, ishte dhuratë e tij.
Njoftimi i Prokurorise
Në bazë të materialit të referuar nga ana e Policisë së Shtetit, ka regjistruar proçedimin penal nr.2/2016, për veprat penale :
- ”Kundërshtimit të punonjësit që kryen një detyrë shtetësore apo një shërbim publik”, parashikuara nga neni 235 i K.Penal, dhe
- ”Organizimi dhe pjesmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, të parashikuar nga neni 262 të Kodit Penal, për ngjarjen e datës 28.03.2016, ndodhur në zonën e Liqenit Artificial, Tiranë.
Ndërkohë, Prokuroria e Përgjithshme, në bazë të referimit të Policisë së Shtetit, po kryen hetime në ngarkim të deputetit Gent Strazimiri edhe për ekzistencën e dyshimeve për kryerjen e veprës penale: ”Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal.
Emri i deputetit Strazimiri është shënuar në Regjistrin e Proçedimeve Penale të Prokurorisë së Përgjithshme në bazë të akteve paraprake të dorëzuara nga ana e Policisë Gjyqësore.
Ndër të tjera, në këtë material është edhe deklarimi i shtetasit P.N., i paraqitur si ish-përfaqësues i një firme prodhimi armësh në Gjermani.
Sipas deklarimit të tij, kompania që përfaqësonte, i ka dhuruar disa vite më parë një sasi armësh Ministrisë së Brendshme, një prej të cilave pretendon se është në posedim të deputetit Gent Strazimiri dhe ekspozuar prej tij në ngjarjen e datës 28.03.2016, në zonën e Liqenit Artificial, Tiranë.
Ndërkohë, Prokuroria po vijon hetimet për persona të tjerë të përfshirë në ngjarjen e datës 28.03.2016, ashtu edhe për ligjshmërinë e projektit të ndërtimit të këndit të lojërave në zonën e Liqenit Artificial, në bazë të kallëzimit të dorëzuar nga përfaqësues të Shoqërisë Civile.