Një ditë pas prezantimit të projektit për transformimin e lumit të Lanës, kryeministri Edi Rama ndau sot një video me pamjen e godinave që do të ndërtohen për strehimin e banorëve por dhe apartamentet për strehim social për familjet që preken nga realizimi i këtij projekti.
Rama theksoi se, ky projekt është një kapitull i ri për transformimin jo vetëm të lumit të Lanës por të gjithë zonës duke hapur një kapitull të ri për Tiranën.
“Pamjen e godinave që do të ndërtohen për strehimin e banorëve që shpërngulen për kapitullin e ri të transformimit të Lanës në Tiranë, por edhe apartamenteve për strehim social, shërbime e parkim në administrim shtetëror, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Trajtimi me bonus qiraje dhe banesa falas për familjet e prekura nga ky projekt u njoftua një ditë më parë nga kryeministri Rama i cili tha se, “banorët që preken nga ky projekt i rëndësishëm për zhvillimin e qytetit, fillimisht do të trajtohen me bonus qiraje, e më pas do të përfitojnë banesë falas, disa herë më të mirë se ajo që kanë, e që do të ndërtohen për këtë qëllim nga Bashkia e Tiranës”.
Projekti fillestar për rehabilitimin e Lanës daton në vitin 2018, dhe është pjesë e konceptit të përgjithshëm të bashkisë “Tirana 2030”
Ky projekt i prezantuar një ditë më parë nga Bashkia e Tiranës, parashikon rehabilitimin e lumit të Lanës do të nis nga “Pallati me shigjeta” te kryqëzimi me Rr. “Teodor Keko”.
Gjithashtu ky projekt parashikon devijimin e vijës së lumit si dhe rehabilitimin në të dyja anët të kolektorit të ujërave të zeza.
/a.r