Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, kthen për rishqyrtim në Kuvend ligjin Për masat shtesë të sigurisë publike”, ose siç njihet ndryshe ligji i kamerave. Sipas hartuesve të ligjit ai ka për qëllim marrjen e masave shtesë të sigurisë publike nga subjektet publike dhe private, veprimtaria e të cilave përbën burim rreziku të shtuar për sigurinë, duke siguruar bashkëpunimin mes Policisë së Shtetit dhe këtyre subjekteve, me synim mbrojtjen e jetës, pronës, dhe garantimin e sigurisë publike.
Ligji në tërësinë e tij synon marrjen e të dhënave private për qytetarët, kryesisht për ata që ushtrojnë aktivitet privat biznesi, por edhe për qytetarët në tërësi, për çdo aktivitet të tyre, i cili përfshin lëvizjet, takimet, vendndodhjet, kohëqëndrimet, bisedat, veprimet (përfshirë edhe ato intime), etj.
Ky informacion sipas ligjit të miratuar synon të arrihet nëpërmjet regjistrimit me kamera në ambientet e banimit dhe qendrat private të bizneseve të ndryshme. Sipas këtij ligji Policia e Shtetit është ajo që bën analizën e vlerësimit të rrezikut dhe njofton subjektet për gjendjen e rrezikut dhe nivelin e masave shtesë të sigurisë që duhet të marrin, duke përfshirë kryesisht sistemin e kamerave CCTV, informacion i cili do të vihet në dispozicion të Policisë së Shtetit sipas kërkesës.
Por sipas kreut të shtetit rregullimet ligjore në lidhje me masat shtesë të sigurisë, subjekteve që do i zbatojnë dhe përpunimi i të dhënave nuk sigurojnë respektimin dhe mbrojtjen e të dhënave personale dhe jetës private të qytetarëve sipas nenit 35 të Kushtetutës dhe Nenit 8/1 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ), duke vënë në dyshim se gjatë zbatimit të ligjit mund të krijohen premisa të cënimit të parimit të ligjshmërisë, domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit. Për këto shkaqe Presidenti vendos ta rikthejë në Kuvend për rishqyrtim me argumentin se është në mbrojtje të zbatimit të Kushtetutës, Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe në plotësimin e detyrimeve të MSA-së në drejtim të mbrojtjes të jetës private dhe familjare.
Kontestimet e Presidentit
Së pari: Përmes këtij ligji, duke përcaktuar masa shtesë të sigurisë, përmes vendosjes së kamerave të sigurisë të cilat përfshijnë sheshe të hapura, parqe, kënde lojërash, mjedise të hapura apo të mbyllura publike, mjedise të punës ku ushtrohet një biznes privat, mjedise të hapura dhe të mbyllura për fëmijë cënohet e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare e garantuar nga neni 35 të Kushtetutës së R.SH-së dhe neni 8/1 i KEDNJ-së.
Së dyti: Ndërhyrja në të drejtën për jetë private dhe familjare përmes masave të parashikuara në nenin 8 të Ligjit nuk është e justifikueshme, e domosdoshme dhe proporcionale.
Së treti: Ligji miratuar bie ndesh me Direktivën 95/46 EC dhe dispozitat e ligjit nr.9887, datë 10.03.2008 “ Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar.
Ligji krijon mundësinë që përpunimi i të dhënave personale, i cili do të kryhet nga një prej sistemeve më të rëndësishëm, atë të video survejimit do të monitorohet nga ana e Policisë së Shtetit, pasi më parë ajo të ketë bërë vlerësimin e riskut dhe të ketë vlerësuar se ku do të vendosen kamerat, ndërkohë që kjo është kompetencë e Autoritetit të Pavarur të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
(javanews.al) Me. Ar