Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit konsultativ me liderët e partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve, tha se brenda pak ditëve do të shpallë datën e zgjedhjeve të rregullta. Në një konferencë për media, pas takimit, Osmani tha se datat për zgjedhje në bazë të ligjit janë mes 26 janarit, 2 shkurt, 9 shkurt dhe 16 shkurt 2025.
Duke folur për mungesën e kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, njëherësh kryeministrit të vendit, ajo shtoi se nuk i di arsyet e një veprimi të tillë.
Osmani, tha se duke qenë se prezentë ishin të gjithë kryetarët e partive politike, nuk ka dashur të thyejnë këtë parim, pavarësisht kërkesës për të qenë prezentë nënkryetari Glauk Konjufca.
“Unë nuk e kam pa që dikush e ka quajtur bojkot, për mospjesëmarrjen e kryetarit të LVV në këtë rast edhe pse siç e dini të gjithë partitë kanë qenë të ftuara në nivel të kryetarëve të partive dhe nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca dhe kryetari i Kuvendit ka shprehur gatishmëri të plotë që të vij sot në takim. Kryetari i LVV nuk ka qenë prezent, ne nuk i dimë arsyet, besoj mund ta pyesni atë drejtpërdrejt, po supozoj që është në zyrë, kështu që mund të shkoni dhe ta pyesni”, ka shtuar Vjosa Osmani.