Gjykata e Posaçme ka vendosur të lërë në burg tre ditë pas arrestimit, drejtuesin e Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka, i akuzuar për korrupsion dhe ndikim të ushtrimit të paligjshëm.
“Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, me vendimin Nr. 92, datë 03.07.2024 vendosi: 1. Vazhdimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale caktuar ndaj personit nën hetim Aurel Zarka me vendimin Nr. 87 Akti, datë 28.07.2024 të Gjykatës së Posaҫme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer tre herë, e kryer në bashkëpunim dy herë, të parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi (2) dhe 25 të Kodit Penal (para ndryshime me ligjin nr.43/2021), “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 319 dhe 25 të Kodit Penal dhe “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, të parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal.”
Avokati i Zarkës, Julian Mërtiri, nuk dha asnjë hollësi mbi qëndrimin në sallën e gjyqit. “Aktet janë sekret hetimor. Nuk kam asnjë koment për të bërë“, tha avokati.
Vendimi i GJKKO-së vjen vetëm pak orë pasi Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi ta pezullojë Zarkën nga detyra.
Zarka bashkë me ish-oficeren e Policisë Gjyqësore, Erion Daupaj, avokatin Radovan Çela dhe Astrit Vladin, akuzohen se kanë ndërhyrë, marrë ryshfet dhe dhënë ryshfet funksionarëve në 8 çështje penale, 4 nga të cilat lidhen me dosjen “Toyota Yaris”.
Kjo dosje lidhet me ngjarjen e vitit 2018, kur ish-prokuroria për Krimet e Rënda hetoi rastin e sekuestrimit të një shumë prej 3.4 milionë euro të bllokuara në Portin e Durrësit, në bordin e një automjeti “Toyota” të mbërritur nga Belgjika.
/a.r