Rreth 41.2% e ujërave larës në Shqipëri kanë cilësi “të shkëlqyer”, ndërsa 15.1% e tyre kanë cilësi “të dobët”. Kështu e ka klasifikuar Agjencia Evropiane e Mjedisit cilësinë e ujit në bregdetet, liqenet dhe lumenjtë e vendit tonë. Në raportin e publikuar nga kjo agjenci, rreth 37% e ujërave larës në Shqipëri janë renditur me cilësi “të mirë”, ndërsa 6.7% e tyre kanë cilësi “të pranueshme”.
Cilësia e ujërave larës matet përmes dy parametrave mikrobiologjikë që janë të përcaktuara në Direktivën e Bashkimit Evropian për Ujërat Larës. Rreth 85% e të gjithë ujërave larës në vendin tonë janë në përputhje me standardet minimale të cilësisë në këtë direktivë.
Cilësia e ujit në det dhe në vijën bregdetare ka rënë gjatë vitit 2023, ndërsa për sa i përket ujërave në lumenj dhe liqene, cilësia e tyre është përmirësuar ndjeshëm. Në vitin 2020 është shënuar cilësia më e lartë e ujërave ndonjëherë, ku gati 77% e tyre morën vlerësimin “cilësi e shkëlqyer”, ndërkohë që vetëm 4.2% e tyre nuk përmbushnin asnjë prej standardeve. Kjo tregon se cilësia e ujërave në Shqipëri po përkeqësohet nga viti në vit.