Për Argita Malltezin thirrjet për rrahje policesh dhe vrasje patronazhistësh nga ana e avokatit të babait të saj Genc Gjokutajt janë të drejta dhe madje nisja e hetimit ndaj tij është persekutim politik.
“E konsideroj procedimin penal ndaj z. Gjokutaj si një persekutim politik, të një zëri opozitar por edhe të avokatit të kryetarit të PD, Sali Berisha. Përpara se të shqetësohem për eufemizmat e z. Gjokutaj unë shqetësohem për ata njerëz që qëndrojnë në arrest politik apo të çfarëdollojte në burg apo shtëpi”, tha Malltezi.
Në konferencën për gazetarët një ditë para seancës në GJKKO për masën e sigurisë ndaj babait dhe bashkëshortit të saj, Malltezi tha se revolta që thotë Gjokutaj do të ndodhë dhe është normale.
“Jamarbër Malltezi ka 9 muaj në arrest pa ligj. Sepse është urdhëruar prokuroria. Kraja, Millonai Dumani veprojnë sipas urdhrit. Cili do të jetë reagim? Unë dal para jush, po ata që nuk e kanë këtë mundësi?
Në cilin vend të botës ndodh që patronazhisti të të vjedhë të dhëna personat. Të gjitha këto padyshim që do të ngrenë revoltën popullore. Pa diskutim që do të ketë reagime”, shtoi ajo.
Malltezi e mori fjalën pasi avokat Gjokutaj u pyet për deklaratën e tij, të cilit ashtu si në shfajësimin e parë vijoi të të lehtësojë pozitën e tij ligjore, sic bëri me modifikimin e postimit në Facebook dhe të vinte thonjëzat në thirrjen “Vritini” patronazhistët, ndërsa për rrahjen ndaj policëve nuk duket i penduar.
Në komunikimin me mediat, Argita Malltezi dhe avokatët e tjerë të Berishës, siç e kanë bërë zakon, sulmuan SPAK, në veçanti Dumanin dhe prokurorët që po hetojnë Sali Berishën dhe Jamarbër Malltezin për aferën Partizani. Sipas saj SPAK vepron sipas shkopit të dirigjinetit nga politika.