Dardan Krivaça e Arbër Sejdiu edhe në rigjykim janë shpallur fajtorë për rastin e vrasjes së Marigona Osmanit, në gushtin e vitit 2021.
Gjykata në Ferizaj i dha Dardan Krivaçës dënim me burgim të përjetshëm, kurse Arbër Sejdiut për veprën penale vrasje e rëndë në bashkëpunim, i është rikualifikuar vepra penale në ndihmë në vrasje e rëndë, duke e dënuar me 15 vite burg.
Kurse për veprën penale të dhunimit, Krivaça dhe Sejdiu për akuzën ndihmë në dhunim, janë liruar nga akuzat.
Gjykata e Apelit, me rastin e kthimit në rigjykim, kishte vlerësuar se dispozitivi i parë dhe i dytë i aktgjykimit është i paqartë, i pakuptueshëm dhe jo në harmoni me ligjin.
Dispozitivi i parë i aktgjykimit ka të bëjë me veprën penale të dhunimit, veprime për të cilat Krivaça u lirua nga akuza. Ndërkaq, dispozitivi i dytë lidhet me akuzat ndaj Arbër Sejdiut për ndihmë në kryerjen e dhunimit, vepër për të cilën i njëjti ishte liruar nga shkalla e parë.
Krivaça akuzohet se me dashje dhe në bashkëpunim me Arbër Sejdiun e privojnë nga jeta Marigona Osmanin. Me të njëjtën, Krivaça ka qenë në lidhje jashtëmartesore.
/a.r