Një komentator i Eurosportit është pushuar nga puna pasi gjatë komentit të garave të notit të Olimpiadës “Paris 2024” tha diçka seksiste.
Pasi vajzat e Australisë fituan medaljen e artë në stafetën 4x100m stil i lirë, ato po përgatiteshin për t’u larguar nga Qendra Ujore e Parisit, ku u zhvillua gara. Në këtë moment, komentatori Bob Ballard lëshoi “perlën”: “Ja, tani gratë po bëhen gati për të ikur. E dini ju si e kanë gratë… vërdallisen kot, bëjnë tualetin”.
Pasi komenti i tij u bë viral, Eurosport vendosi ta pushonte nga puna komentatorin me eksperiencë.
“Gjatë një segmenti të transmetimit të Olimpiadës mbrëmjen e kaluar, komentatori Bob Ballard bëri një koment të papërshtatshëm. Për këtë arsye, ai është larguar nga ekipi ynë i komentatorëve në mënyrë të menjëhershme”, lexohet në njoftimin e Eurosport.
/a.r