Çfarë kompania Mossack Fonseca, sa e madhe është, kush i përdor kompanitë offshore? Këtoj janë disa pyetje pas rrjedhjes më të madhe të dokumentave që tani njihet me emrin Panama Papers.
Çfarë është Mossack Fonseca?
Eshtë një kompani ligjore me qendër në Panama, shërbimet e të cilës përfshijnë inkorporimin e kompanive në juridiksione të huaja, si për shembull Ishujt Virgin Britanikë. Ajo administron kompani në këto parajsa fiskale kundrejt një pagese të përvitshme. Shërbime të tjera përfshijnë menaxhimin e pasurisë.
Ku e ka qendrën?
Kompania është panameze por operon në mbarë botën. Faqja e saj e internetit mburret për një rrjet global prej 600 personash që punojnë në 42 shtete. Ajo ka degë përreth botës, ku nëndegë që operojnë ndaraz janë në kërkim të klientëve të rinj dhe kanë të drejta ekskluzive të përdorin markën e saj. Mossack Fonseca operon në parajsa fiskale, duke përfshirë Zvicrën, Qipron dhe Ishujt Virgin britanikë, si dhe në vende në varësi të Kurorës britanike, si Guernsey, Jersey dhe Isle of Man.
Sa e madhe është?
Mossack Fonseca është ofruesi i katërt më i madh në botë i shërbimeve në parajsa fiskale. Ka vepruar për më shumë se 300 mijë kompani. Ka një lidhje të fuqishme me Mbretërinë e Bashkuar. Më shumë se gjysma e kompanive janë regjistruar në parajsa fiskale të administruara prej britanikëve, si dhe në vetë Mbretërinë e Bashkuar.
Sa të dhëna janë nxjerrë?
Shumë. Rrjedhja është një prej më të mëdhave në histori – më e madhe se kabllogramët diplomatikë të nxjerrë nga Wikileaks në vitin 2010, si dhe dokumentat e fshehtë që iu dhanë gazetarëve nga Eduard Snowden në vitin 2013. Janë 11.5 milionë dokumenta dhe 2.6 terabyte informacion të nxjerrë nga baza e të dhënave të Mossack Fonseca.
A janë mashtrues të gjithë ata që përdorin llogaritë në parajsat fiskale?
Jo. Përdorimi i strukturave në këto parajsa fiskale është krejtësisht i ligjshëm. Ka shumë arsye legjitime për ta bërë këtë. Biznesmenë në vende si Rusia dhe Ukraina zakonisht i fusin pasuritë në parajsa fiskale për t’u mbrojtur nga “sulmet” prej kriminelëve, si dhe të shmangin kufizimet e monedhave. Të tjerë i përdorin për arsye trashëgimie dhe planifikim pronash.
A janë mashtrues disa prej atyre që i përdorin?
Po. Në një fjalim vitin e kaluar në Singapor, David Cameron tha se “të korruptuarit, kriminelët dhe pastruesit e parave” përfitojnë prej strukturave anonime. Qeveria po përpiqet të bëjë diçka për këtë. Ajo dëshiron të krijojë një regjistër qendror që do të zbulojë përfituesit e kompanive të tilla. Nga qershori, kompanitë britanike do të duhet të zbulojnë pronarët “e rëndësishëm” për herë të parë.
Çfarë thotë Mossack Fonseca për rrjedhjen e informacionit?
Kompania nuk diskuton raste specifike për keqbërje të qëllimtë, duke përmendur konfidencialitetin me klientin. Por ajo mbron sjelljen e saj. Mossack Fonseca thotë se zbaton ligjet kundër pastrimit të parave dhe kryen kontrolle të përpiktë mbi të gjithë klientët. Ajo thotë se ndien keqardhje për keqpërdorime të shërbimeve të saj dhe përpiqet aktivisht ta parandalojë. Kompania thotë se nuk është përgjegjëse për dështime të ndërmjetësve, që përfshijnë banka, kompani ligjore etj.