Vajza e shkrimtarit të ndjerë Ismail Kadare, Besiana, ka bërë një apel për ndjekësit, duke denoncuar hapjen e profileve të rreme për prindërit e saj në rrjetet sociale, Facebook, Instagram dhe në platformën “X” që më parë emërohej Twitter. .
Ajo shprehet se këto profile botojnë përmbajtje të paqëndrueshme dhe të pavërteta, duke theksuar se ato shpesh herë reflektohen edhe në media.
“Dëshiroj të tërheq vëmendjen tuaj mbi faktin se të gjitha profilet e krijuara në emër të prindërve të mi, Ismail dhe Helena Kadare, janë FALLCO dhe botojnë marrëzira. Ju lutem, mos i ndiqni dhe raportoni ato si ‘FAKE’ në mënyrë që të bllokohen një herë e mirë”, shkroi Besiana në platformën Facebook.
Ajo inkurajon të gjithë që të jenë të kujdesshëm dhe të kontribuojnë në luftën ndaj dezinformatave online.
Shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, vdiq në moshën 88-vjeçare.
Kadare lindi në vitin 1936 në Gjirokastër – një qytet i vogël në malet e jugut të Shqipërisë.
Qyteti i tij, për të cilin shkroi romanin “Kronikë në Gur”, bën pjesë në trashëgiminë botërore që mbron UNESCO-ja.
Tridhjetë vjet të karrierës së shkrimtarit, Kadare i jetoi në Shqipërinë komuniste, ku edhe shkroi kryeveprat.
/a.r