Nga Mero Baze
Të gjithë këta demokratët që po sulmojnë Berishën për mbylljen e listave në marrëveshjen me PS, duhet të kenë një keqkuptim të madh me Berishën për atë se çfarë i duhet atij PD në këtë moshë.
E para, duhet të kenë keqkuptimin që Berisha po bënte betejë me Lulzim Bashën se ai nuk paska hap listat dhe nuk ka lejuar më të aftët të hyjnë në parti përmes garës. Nëse vërtetë, nëse e kanë besuar këtë në vitin 2022, ata janë mendërisht të paaftë dhe nuk vlejnë dhe sikur të marrin 100 për 100 të votave të popullit. Ndodh që populli zgjedh rregullisht dhe budallenj. Ky nuk është rasti t’i shtojmë, se kemi boll.
Njerëz që kanë besuar një gënjeshtër të Berishës për herë të dhjetë në tridhjetë vjet, kanë probleme logjike. Nëse nuk e kanë besuar, por kanë bërë sikur, atëherë janë hipokritë dhe nuk është mirë të mbajnë leksione demokracie për Berishën tani, vetëm se e ndjejnë veten të rrezikuar të mos jenë deputetë.
E dyta, këta duhet të kenë keqkuptimin, që Sali Berisha kërkon një parti të mendimit të lirë, me fraksione, me ide që të luftojnë për demokracinë. Berisha do një parti për vete në pleqëri. Si çdo i moshuar që do të ndjehet i sigurtë që nuk e lënë vetëm, dhe ai ka ato frikërat e pleqërisë, se mos i thonë ik se “kjo është shtëpia jonë”, “s’ke më punë këtu” etj si këto. Do një parti me besnikët e tij, sado banalë të na duken ne.
Dhe ka të drejtë. Atij Flamuri nuk i duhet për mendje, as Albana për sharm. I duhen të jetë i sigurtë që nuk është vetëm. Si ata pleqtë e pasur që mbajnë shërbëtorë të paguar mire, vetëm t’i rregullojnë gotën e ujit, apo gravatën, të mos ndjehen vetëm.
Nëse dikush ka keqkuptime të tjera për Berishën atëherë është shumë vonë për të qenë njeri normal. Le të shkojë. S’ia ka fajin Berisha. Berisha i ka dhënë gjithë jetën provat se kush është.
Por së fundmi, që është më kryesorja, të gjithë duhet të kenë parasysh dhe një moment solemniteti. Berisha ka tre vjet rrugëve, tre vjet betejë trup më turp me Lulzim Bashën dhe mbështetësit e tij, shumicën e të cilëve tani i ka pas vetes si ushtarë.
Ka tre vjet që e izolojnë, nuk e thërrasin, nuk e konsiderojnë, edhe pse ai ulëret si qen i lidhur në zinxhir gjithë ditën.
Tani shajeni sa të doni Damianin, por ai ja krijoi një mundësi të ndjehet i respektuar. E uli në tavolinë si gjithë njerëzit e tjerë, i vuri para laps e letër dhe i tha “firmos dhe ti njëherë si kryetar i PD”, para se të vdesësh.
Kjo është firma e tij e parë si kryetar i PD pas betejës tre vjeçare për shkatërrimin e saj. E ka ulur pushteti në tavolinë, i ka vënë një gotë ujë përpara, një letër, laps, dhe i ka thënë “hallall e paç se e meriton”.
Dhe vëreni pak veten në vend të tij. Është ky qejfi i të përdorurit të firmës që të kanë dhënë. Se siç thotë Gon Duka, kam “edhe unë kam parti, po kam dhjetë vjet pa e përdorur, e mbaj në garazh kot”.
Ky tani ka rastin ta përdorë. Ça rëndësi ka se përse po firmos. Atij partia i duhej, partinë ja dhanë. Tani lëreni ta shijojë. Shijojeni dhe ju që e ndihmuat!
Te lumte Z Mero Baze,je nji mendje arte,ti ne vecanti meriton respkte.Jane shume te rralle gazetaret si puna jote,edhe nji repeket,i ndruari BAZE.