Zgjedhjet në Himarë kanë qenë në epiqendër të një përballje në Kuvend mes kryetarit të PBDNJ-së, Vangjel Dule, me ministren e Shtetit për Parlamentin, Elisa Spiropali.
Dule ka akuzuar shumicën socialiste se në Himarë po kërkohet të rrëmbehen pronat, të ndalohet greqishtja, nëpërmjet përçarjes së qytetarëve.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Spiropalit, e cila theksoi se kandidati i PS-së, Vangjel Tavo nuk troket në dyert e padronëve, por ai do tu japë zgjidhje halleve të Himarës.
Por Dule i ka mëshuar qëndrimeve të tij, duke sulmuar kandidatin Tavo.
“I keni çuar Himarës një kandidat të importuar. E çuat bashkë me farefisin, dhe i bëtë zgjedhës në bashki. I çuat edhe bashkëpunëtorë duke ju shpërndarë role, e duke u premtuar troje. I çuat një kandidaturë produkt i merkatos politike. Kandidaturë që kryeministri e akuzonte si tepsixhi dhe ai kryeministrin drogaxhi”, tha Dule.
Sipas tij, PS e ka çuar tek lumi i Vlorës si kandidat, që do ndalojë të flitet greqisht në Himarë.
“Është i qartë objektivi juaj. Himarjotëve doni t’u rrëmbeni pronat, dhe banorëve të lumit të Vlorës po tentoni ti merrni ujin e lumit. Në këto kushte keni ndërsyer duke shkelur ligje e parime. E gjithë administrata është në Himarë. Anëtarët e Këshillit të Ministrave e bëjnë me turne shërbimin, për të rrëmbyer mandatin e Bashkisë në Himarë. Po ju garantoj, çfarëdo që të bëni, nuk ka shantazh, kërcënim apo joshje që mund të përdorni për të mposhtur frymën himarjotë. Nuk mund të rrëmbeni pronën, trashëgiminë e dinjitetin e tyre.”, tha Dule.
Spiropali: Do ti japim Himarës zgjidhje për problemet lokale
Por, sipas Spiropalit, zgjedhjet për bashkinë e Himarës nuk janë referendum politik, por janë zgjedhje lokale për banorët atje që kërkojnë zgjidhje.
“Zgjedhjet në Himarë nuk janë zgjedhje për të përçarë minoritetin dhe shqiptarët, por për të bashkuar qytetarët atje. Zgjedhjet për bashkitë nuk janë për të ndarë pronat, copat apo ndikimet të brendshme ose të jashtme, por janë zgjedhje që ato troje, t’i vëmë në funksion të zhvillimit. Kemi zgjedhur një kandidat që di të bëjë punën dhe të përfaqësojë shqiptarët e grekët. Ne, me zgjedhjet e Himarës, nuk bëjmë politikë as të brendshme as të jashtme, por do ti japim Himarës zgjidhje për problemet lokale, jashtë ndikimeve që e kanë kthyer këtë betejë elektorale në një luftë të pakuptimtë ndikimesh që nuk ju bëjnë nder. Nga ata që vunë kandidat persona me rekorde aty, e deri tek ata që sot e mbajnë jashtë litarin e përçarjeve për bashkinë e Himarës. Himara do të ketë një kryetar bashkie që nuk troket në dyert të padronëve të fshehur apo të hapur, por troket vetëm tek qytetarët për tu kërkuar besimin dhe votën.”, tha Spiropali.
/a.r