Kryeministri serb Millosh Vuçeviq deklaroi dje në Parlamentin e vendit të tij që “Republika e Serbisë nuk e ka pranuar marrëveshjen franko-gjermane”. Ai e potencoi se është i vetëdijshëm që deklarata e tij është publike dhe po regjistrohet. Në një përgjigje për Gazetën Express nga Brukseli zyrtarëve të Serbisë u kërkohen që të mos bëjnë deklarata që vënë në dyshim marrëveshjet.
“Siç e kemi thënë shumë herë më parë, Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit është e vlefshme dhe e detyrueshme në tërësinë e saj si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. Zbatimi i saj është një pjesë integrale e rrugëve të tyre përkatëse europiane, e cila u konfirmua së fundmi përmes përfshirjes së saj në kapitullin 35 të negociatave të pranimit të Serbisë. Nëse progresi në pranimin e saj në BE është vërtet në interesin strategjik të Serbisë, ne ftojmë përfaqësuesit serbë të përmbahen nga deklaratat që vënë në dyshim vlefshmërinë e Marrëveshjes dhe të fillojnë zbatimin e detyrimeve të tyre”.
Gjithashtu, BE i rikujton Serbisë se marrëveshja është pranuar nga ana e presidentit serb Aleksandar Vuçiq edhe pse nuk është e nënshkruar.