Mjeku i Onkologjikut Edmond Gashi ka dalë sot para trupës së GJKKO, për t’u njohur me masën e sigurisë, së bashku dhe me mjekët e tjerë që akuzohen për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha ka zbardhur dhe kërkesën e Gashit përpara gjykatësve, duke kërkuar që t’i hiqet masa aktuale ‘arrest shtëpie’.
“Ju lutem hiqeni masën e sigurisë, po më pengoni të ushtroj profesionin e mjekut. Janë 50 biopsi që kanë dalë dhe presin ndërhyrje”, ka deklaruar ai.
Në seancën që po mbahet me dyer të mbyllura Anila Hoxha raporton se të gjithë të dyshuarit kërkuan heqje të masës, ku katër prej tyre janë detyrim paraqitje dhe dy arrest shtëpie.
Edhe mjekja Alketa Pere ka kërkuar heqje të masës detyrim paraqitje. Avokatja Xhoi Nela që është mbrojtëse e mjekut Edmond Gashi, paraqiti në gjykatë një vërtetim ku tregohet se ai është mjeku qe ka kryer 268 operacione vetëm për 1 vit (periudha e fundit), që të gjitha të suksesshme.