Tedi Blushi, sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, foli për sherrin e një dite më parë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, ku ai u përplas fizikisht me Halit Valterin.
Blushi ngriti akuza të forta duke thënë se ngjarja ka qenë e planifikuar, madje sipas tij, në atë seancë ishte planifikuar të kishte gjakderdhje.
“Ngjarja e djeshme ishte e planifikuar që në atë seancë dje të kishte gjakderdhje. Këtë e them me bindje të plotë, sipas burimeve shumë të sigurta policore, të cilat më kanë informuar se kryetari i bashkisë ka qenë i veshur me antiplumb dhe brenda në sallë kanë qenë persona të armatosur dhe civilë.
Unë kërkoja fjalën për t’i dhënë kryetares së këshillit bashkiak: Zonjë, ju nuk lejoni mediat të marrin pjesë, ju nuk lini qytetarët të ngenë shqetësimet, kush janë këta individë që i bëjnë presion opozitës dhe sipas informacioneve të mia kanë qenë të armatosur. E gjithë ajo skenë që ndodhi dje ka qenë e planifikuar. Aty është menduar të bëhet një atentat, por skenari ju dështoi. Unë thjesht i kam hedhur të gjitha aferat në fytyrë Erion Veliajt dhe u provokova nga një bandit, i cili erdhi të më dhunonte pse unë i hodha letrat në fytyrë Veliajt”.
Më tej, Blushi u shpreh se u mbajt peng për 5 orë në polici pasi, sipas tij, Veliaj nuk dërgoi pamjet se çfarë ndodhi.
“Në komisariat unë jam mbajtur peng për 5 orë për arsye se Erion Veliajt nuk sillte pamjet filmike. As sot nuk i ka çuar pamjet, por ka çuar pamjet e një televizioni që paguhet nga paratë e inceneratorëve”, tha Blushi.
/a.r