Në kuadër të Ditës Botërore të Kafshëve Endacake, Bashkia e Tiranës dhe Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit kanë nisur një fushatë ndërgjegjësimi me qytetarët për mënyrën se si duhet kujdesen dhe sillen ndaj qenve të rrugës.
Për këtë qëllim, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vizitoi sot ambientet e klinikës veterinare të kafshëve në Kombinat, ku mori pjesë në aktivitetin e parë të fushatës, e cila do të zhvillohet paralelisht edhe me procesin e trajtimit të qenve endacakë, duke i sterilizuar, vaksinuar dhe matrikuluar ata.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe fëmijë nga shkollat 9-vjeçare të Tiranës, të cilët pasi morën informacionin e duhur rreth mënyrës se si duhen trajtuar këto kafshë, së bashku me kryetarin e Bashkisë kanë parë nga afër punën që bëhet nga veterinerët për trajtimin e tyre, si dhe kanë luajtur me to, për të përcjellë mesazhin se edhe kafshët endacake kanë nevojë për dashurinë e njeriut dhe se përdorimi i dhunës nuk është mjeti i duhur për t’i larguar nga rruga.
Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj theksoi se, nisur edhe nga simbolika e Ditës Botërore të Kafshëve Endacake, është e nevojshme që shoqëria të kuptojë se edhe kafshët kanë vendin dhe të drejtat e tyre.
“Ne besojmë se ky është një proces i cili bëhet më i mirë kur njerëzit janë të edukuar dhe të arsimuar. Ne e dimë se kemi shumë njerëz që nuk i njohin kafshët e rrugës dhe mendojnë se janë të rrezikshme, ndërkohë që në pjesën më të madhe, ashtu siç e thanë dhe veterinerët, kafshët janë vetëm të frikësuara. Ne besojmë se në një qytet si Tirana ka vend për të gjithë; ka vend edhe për njerëzit, edhe për kafshët”, tha Veliaj.
Duke marrë shkas nga situata në terren, ai bëri të ditur se punonjësit e ndërmarrjeve të Bashkisë së Tiranës prej një muaji kanë nisur punën për të trajtuar të gjitha kafshët endacake, për të bërë të mundur fillimisht eliminimin e çdo rreziku për transmetimin e sëmundjeve të rrezikshme dhe mundësimin që nëpërmjet sterilizimit të mund të shmanget shtimi natyror i tyre.
“Ajo që ne bëjmë këtu, bashkë edhe me doktorët e kafshëve, është që kafshët që vijnë nga rruga i vaksinojmë, i sterilizojmë që ato mos të shumohen më shumë, por ama pastaj vazhdojnë jetën e tyre. Është shumë e rëndësishme që në qoftë se ka familje që duan të adoptojnë një qen që vjen nga rruga, që duan të vijnë këtu si vullnetarë, klinika është e hapur”, shtoi kryetari i Bashkisë.
Veliaj i bëri thirrje qytetarëve që të ndihmojnë pranë klinikës veterinare dhe të adoptojnë një qen rruge, pasi në këtë mënyrë ndihmojnë jo vetëm kafshën, por edhe kontribuon që edhe qyteti të bëhet më i mirë.
“Kemi fituar një betejë shumë të madhe sepse kemi rekrutuar kaq shumë vullnetarë siç jeni ju dhe në qoftë se ju do t’u thoni edhe shokëve, edhe prindërve tuaj, dhe të gjithë t’i trajtojmë me respekt kafshët, besoj se do të kemi një qytet ku edhe njerëzit rriten shëndetshëm, por edhe kafshët rriten shëndetshëm. Në qoftë se ka njerëz ose familje që do të adoptojnë kafshët e rrugës, ne mund ta zgjidhim edhe më shpejt situatën e krijuar, sepse sikur secili në Tiranë të marrë një qenush nga rruga, ta rrisë në shtëpi dhe të përkujdeset, do të thotë që ka më pak probleme nëpër rrugë”, tha Veliaj.
Nga 16 shkurti, kur edhe nisi të funksionojë klinika veterinare e bashkisë në zonën e Kombinatit, është bërë e mundur kapja e 320 qenve në të gjithë Tiranën. Zonat kryesore ku është përqendruar aksioni i kapjes së qenve janë: Qendra Spitalore “Nënë Terëza”, Parku i Liqenit, Sheshi “Avni Rustemi” dhe zona e Pazarit të Ri, Lapraka, Unaza e Re, Don Bosko, Fusha e Aviacionit, Ali Demi etj. Prej tyre janë trajtuar dhe nxjerrë në habitat 290 qen, ndërsa pjesa tjetër ndodhet në klinikë dhe po i nënshtrohet ditëve të qëndrimit të detyrueshëm.
Pasi kapen, qentë dërgohen në Klinikën Veterinare, ku regjistrohen në një regjistër të veçantë. Më pas kafsha i nënshtrohet ndërhyrjes që ka të bëjë me sterilizimin, vaksinimin dhe matrikulimin (kapësja e verdhë e vendosur në vesh). Pasi kalon këtë proces, kafsha qëndron në klinikë mesatarisht 3 deri në 5 ditë. Pas kësaj, grupi i kapjes e rikthehen kafshën në zonën ku e mori në fillim. Procesi i trajtimit bëhet nga 5 kirurgë veterinerë, të cilët janë vullnetarë dhe asistohen nga veterinerët e Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit.